Zeneli: Ja pse zgjodha Kosovën para Suedisë

  • 26 September 2016 - 18:32
Zeneli: Ja pse zgjodha Kosovën para Suedisë

Arbër Zenelit nuk po i pritet që të luajë për Kosovën

Talenti kosovar, Arbër Zeneli, i cili aktivizohet në Holandë te Heerenveen, mezi pret të debutojë për Kosovën

 21 vjeçari i talentuar kosovar ishte një udhëkryq sa i përket të ardhmes me Kombëtare. Ai kërkohej edhe nga Suedia, por në fund zgjodhi ta përfaqësojë vendlindjen e tij. Zeneli tha se e bëri këtë pasi Kosova ka nisur një projekt të veçantë dhe dëshironte të ishte pjesë e tij.

Se a do të debutojë Zeneli me gjashtë tetor kundër Kroacisë, mbetet të shihet pasi 21 vjeçari edhe më tej është në pritje të lejes nga FIFA.

“Ishte një zgjedhje e vështirë, por mendoj se kam vepruar drejtë”, ka deklaruar Zeneli.

“Kosova më kërkonte edhe gjatë kohës sa isha te Elfsborg (2014/2015). Mund të them se Kosova më dëshironte më shumë se Suedia”, shtoi talenti i ri i Kosovës.

“Kam menduar shumë muajt e fundit për këtë gjë. Kosova ka nisur një projekt të veçantë dhe unë doja të isha pjesë e tij”.

“Shpresoj të bëjë debutimin në ndeshjet e ardhshme për Kosovën (ndeshjet me Kroacinë dhe Ukrainën), por së pari duhet të mendoj për PSV’në”, përfundoi 21 vjeçari, i cili që nga viti 2010 ka luajtur për të rinjtë e Suedisë U17, U19 e U21.

Zeneli po shkëlqen me skuadrën e tij Heerenveen në ligën holandeze të futbollit. Ai në tetë takime deri më tani në këtë sezon në të gjitha garat, ka arritur që të shënojë katër gola.

Kujtojmë se Milot Rashica është lënduar gjatë ditës së djeshme dhe nëse nuk është i gatshëm për ndeshjet që Kosova i zhvillon me Kroacinë e Ukrainën, vendin e tij mund ta zë pikërisht Zeneli, natyrisht nëse deri atëherë FIFA ia jep dritën e gjelbër që të luajë për Kosovën.

(Kosova Sot)