Tifozët ankohen në çmimet e biletave

  • 29 September 2016 - 08:27
Tifozët ankohen në çmimet e biletave

Me 15 autobusë të organizuar drejt Shkodrës .

Ndeshja e parë kualifikuese e Kosovës si vendase do të jetë në Shkodër. Kjo, pasi stadiumet kosovare nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara. Përballja e 6 tetorit po pritet me interesim të madh për të parë Përfaqësuesen e Kosovës, por edhe yjet e Kroacisë. Biletat kanë dalë në shitje, por shumë tifozë në rrjetet sociale ankohen se janë shtrenjta. Zyrtarët e FFK-së janë arsyetuar se këto çmime janë nën standardin e kërkuar, derisa i kuptojnë plotësisht ankesat e tifozëve .

Takimi Kosovë-Kroaci po pritet me interesim të madh. Ky është takimi i parë i Kosovës si vendas në kualifikime, ndërsa përballja do të zhvillohet më 6 tetor në 'Loro Boriçi' të Shkodrës. Kjo pasi stadiumet kosovare ende nuk i plotësojnë kushtet për gara ndërkombëtare. Barazimi me Finlandën ka rritur entuziazmin te tifozët kosovarë, derisa dëshira e madhe është për të parë nga afër yjet e Kroacisë, si: Modriq, Kovaçiq, Rakitiq, Perisiq, Manxhukiq e të tjerët. Biletat kanë dalë në shitje në të gjitha filialet e 'Money Gram' në Kosovë, kurse një pjesë e vogël do të shitet edhe në Shkodër. Kapaciteti i stadiumit është rreth 16 mijë ulëse. Por, tifozët në rrjetet sociale janë ankuar për çmimet e biletave. Çmimet për një biletë, varësisht nga ulësja që kërkohet do të jenë nga 7 euro prapa portave, 15 euro, 20 euro, 55 dhe 130 euro për VIP.

Ankesat Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, thotë se i kupton tifozët, megjithatë shprehet se vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. "Ky ka qenë një vendim i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Kjo duke marrë parasysh edhe obligimet që ka FFK-ja për këtë ndeshje dhe shpenzimet. Por, këto çmime janë nën standardin e kërkuar. Janë më të lira se ndeshjet që i zhvillon Shqipëria si vendas. Megjithatë, i kuptoj shqetësimet dhe ankesat e tifozëve. Por, çmimet prapa portave janë 7 euro, duke vazhduar me 15 e 20, kurse ato VIP kushtojnë 130 euro, por aty hyn edhe çmimi i pijeve e gjëra të tjera. Pra, jemi munduar që këto çmime të jenë reale, edhe pse i kuptoj ankesat e tifozëve", ka thënë Salihu për "Kosova Sot"

Transporti falas Tifozët janë ankuar, duke marrë parasysh edhe udhëtimin për në Shkodër, megjithatë, transporti do të jetë falas. "Në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit dhe Komunat e Kosovës në mënyrë të organizuar do të jenë 15 autobusë drejt Shkodrës. Pra, udhëtimi do të jetë falas. Kjo është mundësuar nga FFK-ja në bashkëpunim me MKRS-në dhe disa Komuna të Kosovës. Kaq kemi mundur të bëjmë për tifozët dhe kështu do të kenë më lehtë ata që dëshirojnë të shohin këtë përballje shumë të rëndësishme. Natyrisht se ky takim është shumë i rëndësishëm për ne dhe presim që tifozët t'i japin mbështetje lojtarëve. Kjo do t'i motivonte edhe më shumë futbollistët që kanë nevojë, pasi është takimi i parë si vendas dhe luajmë ndaj një Kombëtare shumë të fortë, por edhe të respektueshme në Evropë", theksoi sekretari i përgjithshëm i FFK-së. Tifozët zyrtarë të Përfaqësueses së Kosovës, 'Dardanët', kanë njoftuar se do të udhëtojnë në mënyrë të organizuar drejt Shkodrës, për ta përkrahur Kosovën në duel me Kroacinë më 6 tetor. "Ne si 'Dardanë' do të jemi prapa golit (në anën e majtë të VIP) dhe si kryesi kemi një numër të limituar të biletave. Bileta kushton 7 euro për tifozë, në këtë çmim përfshihet edhe udhëtimi që është mundësuar nga 'Dardanët' në bashkëpunim me MKRS-në dhe Komunat e Kosovës. Sa i përket organizimit për në Shkodër me datën 4 tetor do t'ju njoftojmë se në cilat pika të qyteteve do të bëhet nisja e autobusëve dhe shpërndarja e një sasie të 'maicave' zyrtare të 'Dardanëve'", shkruhet ndër të tjera në njoftimin e 'Dardanëve' në "Facebook". 

(Kosova Sot)