L.A Lakers prezanton tre të rinjtë e draftit

  • 30 June 2015 - 11:08
L.A Lakers prezanton tre të rinjtë e draftit

D’Angelo Russell ishte zgjedhja e dytë në draftin e Nba dhe ai zgjodhi fanellën me numër 1 të Los Angeles Lakers ku do të vazhdojë karrierën si profesionist në basketbollin amerikan. Shtatlarti nga Ohio duhet të bëjë një hap të madh nën hijen e skuadrës kaliforniane pasi ai tashmë është pjesë e një skuadre historike ku ndër të tjera do të mësojë shumë edhe nga një ikonë si Kobe Bryant. Dy të rinjtë e tjerë që u bashkuan me Lakers janë edhe Larry Nance Jr. e Anthony Brown. Ata u prezantuan nga menaxheri Mitch Kupchak, i cili shpreson që skuadra ta hedhë pas krahëve sezonin katastrofik për të nisur një erë të re. Larry Nance u shfaq i lumtur për nisjen e kësaj eksperience edhe pse në të shkuarën ai ka pasur një debat publik me Bryant, i cili këtë vit do të luajë sezonin e 20 me fanellën e Lakers, transmeton supersport.

“Ndihem keq për atë përplasje që pata me Bryant dhe dua t’i kërkoj falje për fjalët që kam thënë në adresë të tij. Sapo mora numrin e telefonit të tij i dërgova një mesazh. Bryant m’u përgjigj menjëherë duke më thënë se gjithçka është hedhur pas krahëve dhe tashmë jam pjesë e familjes”.

Në krahun tjetër, D’Angelo Russell vuri në dukje emocionet që ndjen kur pozon me një fanellë legjendare si ajo e Los Angeles Lakers.

“Dua të rritem me të gjithë të rinjtë e kësaj skuadre që janë bashkuar së fundmi. Dua të jem pjesë e një projekti të madh si ky prandaj për mua personalisht është një nder i madh që jam pjesë e kësaj skuadre”.