Shkëlqimi i Trepçës'89 dështimi i Hajvalisë

  • 04 December 2016 - 09:41
Shkëlqimi i Trepçës'89 dështimi i Hajvalisë

Pranvera mund të sjellë shumë befasi tek ekipet kosovare.

"Trepça '89 është në këtë stinor sinonim i së mirës, sepse ka pasur ambicie të matura dhe ka dalë e para. Po ashtu edhe klubi i Llapit, edhe pse trajnerin Tahir Batatinën nuk e kanë marrë askush serioz në objektivat e tij, por ja që ushtaraku ka ndërtuar një 'njësi ushtarake' që gjithmonë duhet marrë seriozisht", ka thënë Agron Selmani.

Vala Superliga e Kosovës në futboll këtë mesjavë që sapo lamë pas i ka vu perden stinorit vjeshtor, i cili për herë të parë në historinë e futbollit tonë po zhvillohet nën ombrellën e UEFA-s e FIFA. Vetë fakti se tashmë jemi të pranuar ndërkombëtarisht, ka bërë që pritshmëritë të jenë shumë të mëdha, megjithatë, duhet pranuar se jo gjithçka ka shkuar siç është menduar. Trepça'89 ka befasuar të gjithë me paraqitjet e jashtëzakonshme, dhe natyrisht mund të cilësohet si shkëlqimi i stinorit, ndërsa Hajvalia si dështimi, kjo për shkak të problemeve organizative, çka në fund të garave iu desh të luajë me juniorë, pasi ekipi i parë i braktisi garat për shkak të mospagesave. Gjithsesi, hiç mirë nuk ka kaluar as Besa, e cila ka shpenzuar shumë, por që nuk e arriti objektivin- lufta për titullin e kampionit, ku në bazë të deklaratave të trajnerit Gani Sejdiu, tashmë ky ekip e ka humbur hapin për titull. As Prishtina e as Feronikeli nuk duhet të jenë shumë të kënaqura, ani pse mbeten kandidatët kryesorë për titull të kampionit, por në bazë të paraqitjeve nuk është se shkëlqyen.

Shumë ndryshime, por jo pozitive "Ky stinor i sapombyllur ka sjellë një futboll solid. Gjykimi nga ana e gjyqtarëve ka qenë në suaza të normales, nëse nuk i diskutojmë disa raste të veçuara, ku ka pasur gabime në ndarje të drejtësisë", ka thënë trajneri Agron Selmani. "Në këtë stinor mund të potencohet se disa skuadra kanë pasur probleme me motive të ndryshme, disa të asaj organizative disa të natyrës financiare dhe disa për shkak të marrëdhënieve jo të mira brenda klubit", ka thënë Selmani, sipas të cilit, shkëlqimi këtë herë i takon skuadrës mitrovicase. "Trepça '89 është në këtë stinor sinonim i së mirës, sepse ka pasur ambicie të matura, por ka dalë e para. Po ashtu edhe klubi i Llapit edhe pse trajnerin Tahir Batatinën nuk e kanë marrë askush serioz në objektivat e tij, por ushtaraku ka ndërtuar një "njësi ushtarake", që gjithmonë duhet marrë seriozisht" ka thënë Selmani. "Është pritur më shumë nga Gjilani edhe pse kjo skuadër është deklaruar se është në objektivat e veta. Feronikeli nuk ka qenë shumë bindës, po ashtu edhe Prishtina nuk e ka mbajtur kontinuitetin e lojës dhe te rezultateve. Besa, ka një ekip dhe potencial të diktojë ritmin e kampionatit, por nuk ia arriti kësaj, pasi në këtë klub marrëdhëniet ndërnjerëzore brenda klubit kanë bërë që ekipi të është këtu u është, pra jashtë objektivave. Liria e Drenica në bazë të deklaratave kanë pas ambicie për diçka më shumë, por edhe pse janë në mesin e artë nuk iu lejohet të bëjnë gjumë të rehatshëm. Ferizaj, Drita e Trepça sado që kanë bërë lëvizje për të përmirësuar rezultatet janë ende larg objektivave", ka thënë Selmani

Shpenzime të pakontrolluara Sa u përket shpenzimeve që kanë bërë sivjet disa klube kosovare, duhet pranuar që nuk kanë qenë aspak të analizuara. Drita bëri investime edhe në trajnerë të huaj edhe në lojtarë, por rezultatet nuk janë askund. Prishtina, përveç trajnerit të huaj ka sjellë disa lojtarë të njohur që kanë bërë karriere ndërkombëtare, por që duhet pranuar që niveli i lojës së saj nuk është i kënaqshëm dhe se ato shpenzime nuk i kanë kontrolluar. Në të njëjtën situatë janë edhe Feronikeli e Besa të cilat angazhuan forca vendore, por që nuk i arritën pritshmëritë. Kjo nënkupton se megjithatë disa investimet në Kosovë nuk janë të kontrolluara si duhet. "Është vështirë të jepet një përgjigje konkrete në këtë situatë. Mundësia për të dalë në arenën ndërkombëtare ka bërë që klubet të sillen dhe te mendojnë ndryshe, por ka një problem këtu. Procesi i formimit të ekipit dhe i gjetjes së formës sportive nuk varët dhe nuk zgjidhet vetëm me prurje të lojtarëve, por është një proces që kërkon përcaktim të stilit të lojës, sistemit të lojës, objektiva reale, punë, kreativitet, shkathtësi dhe durim. Këto tash për tash po mungojnë", ka përfunduar Agron Selmani.

(Kosova Sot)