Në pushim të detyruar!

  • 04 December 2016 - 09:43
Në pushim të detyruar!

Në mungesë të kushteve, klubet kosovare janë të detyruara që ndërmjet stinorit vjeshtor dhe pranveror të pushojnë dhe të mos i ushtrojnë aktivitetet e tyre. Kjo pastaj në pranverë iu sjell shumë telashe. Megjithatë, kjo vjen pasi janë të detyruar dhe jo që dëshirojnë.

S portistët profesionistë duhet të punojnë gjatë tërë vitit dhe të mos ndalen asnjëherë. Kjo vlen edhe kur është pushimi ndërmjet stinorit vjeshtor dhe pranveror. Megjithatë, kjo nuk ndodh në Kosovë, pasi klubet ballafaqohen me shumë probleme. Sidomos sportet që aktivitetet i zhvillojnë në palestra ballafaqohen me problemin e të ftohtit. Ky problem i ka larguar ata nga palestra, kurse pushimi është më i gjatë se që duhet. Megjithatë, kjo vjen pasi janë të detyruar dhe jo që dëshirojnë për një periudhë më të gjatë. Lorik Ilazi ka punuar me vite të tërë në volejbollin kosovar dhe njihet si një trajner shumë punëtor që nuk ndalet asnjëherë. Por, palestrat e ftohta ka bërë që ai t'i ndërpresë stërvitjet, pa dëshirën e tij. "Për shkak të ftohtit kam anuluar dy stërvitjet e fundit. Aktivitetet tona i përfundojmë në fund të dhjetorit derisa në fund të shkurtit ose në fillim të marsit fillon stinori pranveror. Ne jemi të detyruar që të pushojmë më shumë se që duhet, e këtë nuk e bëjmë nga dëshira. Gjatë verës nuk ndalemi asnjëherë, përveç pushimit të shkurt veror. Megjithatë, në dimër, po na kushtëzohen stërvitjet për shkak të kushteve të këqija", ka thënë Ilazi për "Kosova Sot". 

Faktorët e tjerë Por, edhe disa faktorë të tjerë kanë ndikuar që të mos stërvitin ashtu siç duhet. "Dihet se në Kosovë ka probleme financiare, edhe pse për fatin tonë të mirë, ia kemi dalë të menaxhojmë situatën. Por, sportisti duhet të stërvitet për 12 muaj. Për ta kushtëzuar një lojtare, atëherë, edhe duhet ta përkrahesh financiarisht, gjë që mungon tek ne. Pastaj, sportisti ka nevojë edhe për ushqim dhe shpenzime tjera. Nëse nuk ia plotëson këto kushte, nuk mund ta obligosh që të vjen në stërvitje. Tek ne, sidomos në volejboll, ka pak lojtare profesioniste ose fare, pikërisht për shkak të këtyre problemeve. Sikur të kishte kushte më të mira, sigurisht se edhe lojtaret do të angazhoheshin më shumë. Ne jemi larg skuadrave evropiane. Nuk mundohemi të krahasohemi assesi me to në këso kushte. Nevojitet shumë punë. Duhet punë për 12 muaj, sidomos me gjenerata të reja për vite të tëra, në mënyrë që në të ardhmen të ndërtojmë një bazë të mirë dhe atëherë të presim rezultate", ka përfunduar trajneri i Dritës së Gjilanit në konkurrencën e femrave.

(Kosova Sot)