Paok365: Kaçe nuk duhet të largohet

  • 03 July 2015 - 14:06
 Paok365: Kaçe nuk duhet të largohet

Faqja sportive “Paok365.net”, e dedikuar tërësisht ecurisë së klubit bardhezi, u rekomandon drejtuesve më të lartë të skuadrës nga Selaniku të mos heqin dorë nga mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe.

Pavarësisht sirenave turke që vijnë konkretisht nga Trabzboni, Kaçe mbetet një nga lojtarët kryesorë të PAOK-ut dhe ecuria e tij gjatë sezonit të fundit ka bërë që konkurrenca për ta larguar nga qyteti i Greqisë veriore të jetë e madhe, shkruan Supersport.

22-vjeçarin nga Korça e lidh një kontratë deri në vitin 2017 me ekipin bardhezi, por Trabzonspor nuk dorëzohet duke kërkuar me çdo kusht shërbimet e tij për të ndërtuar një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm.

Sipas faqes “Paok365.net”, klubi dëshiron ta shtyjë përtej vitit 2017 kontratën për të rritur sa më shumë çmimin e largimit të lojtarit që aktualisht shkon deri në 4 milionë euro.

“Kaçe është një nga lojtarët më premtues të Europës dhe këtë e ka treguar gjatë ndeshjeve me PAOK-un dhe Kombëtaren e Shqipërisë. Ky fakt ka ngjallur interesin e shumë klubeve të mëdhenj prandaj PAOK mund të përfitojë shumë nga shitja e mundshme e mesfushorit dhe nuk duhet të kënaqet thjesht me 4 milionë. Kaçe është vetëm 22-vjeç por mbetet një nga lojtarët më të mirë të grupit aktual. Klubi ka deklaruar shpesh herë se nuk ka asnjë plan për shitjen e tij, prandaj aktualisht nuk duhet të dyshojë askush te ky premtim”, shkruan faqja e specializuar që tenton të qetësojë tifozët e PAOK-ut, për të cilët Kaçe është kthyer në një idhull.