Ankohet Trepça

  • 13 January 2017 - 08:49
Ankohet Trepça

Vendimi nuk merret asnjëherë vetëm dy orë pas ndeshjes.

Skuadra e Trepçës në basketboll ende nuk e ka marrë njoftimin zyrtar për ndeshjen e ndërprerë të mërkurën mbrëma. Ata dëshirojnë të ankohen, pasi sipas tyre, pas zbrazjes së sallës ndeshja është dashur të vazhdojë. Gjithashtu skuadra mitrovicase është e pakënaqur me drejtorin e Ligës Ballkanike, Shay Shtriks, që sipas tyre nuk ka pasur të drejtë të ndërpresë ndeshjen .

Trepça sërish telashe në Ligën Ballkanike (BIBL). Pasi rrezikoi njëherë të përjashtohet nga kjo garë, tashmë skuadra mitrovicase është në telashe për shkak të takimit të ndërprerë me Pejën të mërkurën mbrëma në 'Minatori'. Ndeshja u ndërpre në çerekun e tretë, kur mysafirët ishin duke udhëhequr, derisa tifozët vendas kanë filluar të hedhin gjësende në parket. Gjyqtarët e ndeshjes vendosën që të zbrazet e tërë salla, por edhe pasi më nuk kishte tifozë në palestër, ndeshja nuk vazhdoi më. Më pas Liga Ballkanike doli me komunikatë se Peja fitoi ndeshjen me rezultat 20:0, kurse skuadrës mitrovicase nuk i takon as pika e humbësit. Vendimet e tjera do të merren më vonë.

Do të ankohen në vendimin e BIBL Megjithatë, zyrtarët e Trepçës janë të pakënaqur se pse ndeshja nuk vazhdoi pas zbrazjes së sallës. Sekretari i kësaj skuadre, Kemajl Muja ka thënë se zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë vendim në lidhje me këtë takim, derisa po mendojnë të ankohen. "Zyrtarisht ne nuk kemi marrë asnjë shkresë nga Liga Ballkanike për ndeshjen e ndërprerë të mërkurën mbrëma. Ne sigurisht se do të ankohemi, pasi të marrim vendimin, sepse nuk mund të pranojmë vendimin e tyre. Ne do të ankohemi fillimisht në Federatën e Basketbollit të Kosovës, më pas Ligën Ballkanike dhe FIBA-n. Basketbolli ka disa rregulla dhe pasi është zbrazur salla, ndeshja është dashur të vazhdojë", ka thënë Muja për "Kosova Sot". Ndeshja u ndërpre në çerekun e tretë te rezultati 47:54 për pejanët. Verdhezinjtë bën dallimin në çerekun e dytë dhe po shkonin drejt fitores, megjithatë, deri në fund kishte edhe shumë minuta lojë dhe gjithçka mund të ndodhte. 

Pakënaqësitë e mitrovicasve Mitrovicasit gjithashtu janë të pakënaqur pse vendimi i Ligës Ballkanike në faqen zyrtare u publikua vetëm 1-2 orë më vonë dhe kjo nuk ndodh askund. Duhet të mblidhet komisioni dhe më pas të merret vendimi. 'Xehetarët' janë të pakënaqur gjithashtu edhe me drejtorin sportiv të Ligës Ballkanike, Shay Shtriks. "Ne kemi informata se gjyqtarët kanë dashur të vazhdojnë ndeshjen, por, një gjë të tillë e ka ndalur Shay Shtriks. Nuk ndodh askund që drejtori i një lige të marrë vendim aty për aty. Kjo që ka ndodhur duket sikur të ketë një prapavijë. Nuk ndodh askund që vendimi të publikohet aq shpejt. Duhet që komisionet përkatëse të marrin vendimin dhe jo drejtori i Ligës Ballkanike e të bëjë çfarë të dojë. Ne sigurisht se nuk e përkrahim sjelljen e tifozëve dhe atë çfarë ka ndodhur, por ndeshja në bazë të rregullave është dashur të vazhdojë. Gjithsesi Bordi i Klubit do të mblidhet dhe do të diskutojë për këtë takim", ka vazhduar Muja për gazetën tonë. Ai ka shtuar se kanë përmbushur të gjitha kushtet e Ligës Ballkanike dhe kjo nuk mund të ketë lidhje me të kaluarën. "Ne kemi përmbushur kushtet e caktuara. Një pjesë të shumës prej 2500 euro e kemi paguar dhe një pjesë do ta paguajmë më vonë. Nuk besoj se ka lidhje mes asaj dhe vendimit për ndeshjen e fundit, megjithatë, ne do të ankohemi në vendimin e Ligës Ballkanike", ka përfunduar Kemajl Muja. Tashmë mitrovicasit ndodhen në një pozitë edhe më të vështirë në Ligën Ballkanike me tri fitore e pesë humbje, duke grumbulluar dhjetë pikë. Mitrovicasit janë në vendin e fundit në Grupin B të Ligës Ballkanike dhe gjasat që të kalojnë tutje janë shumë të vogla.

(Kosova Sot)