Braktisin Kosovën

  • 20 January 2017 - 09:34
Braktisin Kosovën

Në kërkim të një të ardhmeje më të mir.

Të dëshpëruar me gjendjen dhe kushtet në Kosovë, shumë sportistë, madje edhe elitarë, kanë vendosur të largohen për të gjetur kushte më të mira dhe perspektivë më të mirë. Ata tregojnë edhe për vendimet e tyre dhe pse vendosën që të braktisin Kosovën dhe si i kanë kushtet tani. Sportistët nuk janë penduar që janë larguar nga Kosova.

Duket se gjendja e rëndë, që ka kapluar Kosovën, ka prekur edhe sportin, një segment shumë të rëndësishëm. Klubet dhe sportistët ballafaqohen me shumë probleme, kurse disa prej tyre kanë zgjedhur rrugën më të vështirë, që të braktisin Kosovën dhe të kërkojnë kushte më të mira në vende të tjera. Bëhet fjalë për sportistë elitarë që i kanë dhuruar Kosovës shumë medalje, ndërsa është pritur më shumë prej tyre në të ardhmen. Sidoqoftë, disa prej tyre janë larguar dhe nuk kthehen më, kurse disa të tjerë ende japin kontributin në Përfaqësuesen e Kosovë.

Kushtet e rënda në Kosovë Kosova ka humbur dy boksierët më të mirë, Armend Xhoxhaj dhe Naser Shala. I pari është larguar drejt Gjermanisë dhe i dyti drejt Holandës. Ata ishin shumë të dëshpëruar me kushtet dhe se nuk ka të ardhme këtu. "Dihet se çfarë kushte janë në Kosovë, sidomos në boks. Kushtet nuk janë aspak të mirë dhe nuk kemi përkrahje të duhur. Që shtatë vjet jam kampion dhe kam qenë shpresë olimpike, por nuk kam mundur të marrë pjesë në Olimpiadë për arsye se nuk na kanë mundësuar përgatitje dhe nuk kemi pasur përkrahje. Motiv për të boksuar në Kosovë nuk ke aspak. E vetmja shpresë janë vendet e tjera", ka thënë Xhoxhaj për "Kosova Sot". Edhe Naser Shala ishte shumë i dëshpëruar dhe nuk dëshiron të kthehet më. "Kam stërvitur shumë për të pasur suksese dhe për të arritur qëllimin që të fitoj medalje për shtetin tim. Megjithatë, jam dëshpëruar shumë, sidomos me zyrtarët e federatës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. Nuk janë mbajtur premtimet ndaj meje dhe për këtë arsye jam larguar nga Kosova. Janë bërë një vit nga largimi im nga Kombëtarja e Kosovës dhe ende asnjë boksier i Kosovës nuk ka fituar medalje në kategorinë time 64 kg. Asnjë medalje. Më vjen keq të them se pas dy vjetësh nuk do të kemi boksierë për turneun më të madh ndërkombëtar "Adem Jashari". Sepse nëse shkon kështu, do të mbetemi pa boksierë. Uroj që boksierët e Kosovës të gjejnë rrugë më të mirë, rrugë të suksesit, mos të bien bre e manipulimeve apo mashtrimeve", ka thënë Shala.

Edhe punojnë, edhe luajnë Por, edhe sportistët e tjerë nuk kanë parë të ardhme dhe janë larguar. Dy të tillë janë edhe hendbollistët Enis Kabashi dhe Florim Hoxha, të cilët tani luajnë në Ligën e Katërt në Bavari të Gjermanisë, kurse janë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. "Nuk e kam aspak vështirë të luaj dhe të punoj. Në fillim e kam pasur vështirë të adaptohem, por tani nuk e kam aspak problem. Edhe ky shefi im në punë është kryetar i klubit dhe kur kam ushtrime ose kur kam ndeshje është shumë i kuptueshëm. Kur kam mundësi shkoj edhe në ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës, vetëm nëse kemi ndonjë projekt të madh në punë dhe nuk mund të shkoj", është shprehur Kabashi, i cili ishte edhe hendbollisti më i mirë në Kosovë, derisa ishte ndër lojtarët më të mirë vendorë, kurse tani luan në Ligën e Katërt në Bavari. "Kushtet i kam shumë të mira në Gjermani. E kam banesën time. Unë punoj në firmën 'Haberthaler' që merret me nxehje. Edhe stërviti, edhe punoj. Nuk e kam aspak vështirë edhe të luaj, edhe të punoj, pasi kushtet janë shumë të mira, ndërsa sa herë mundem do të luaj edhe për Përfaqësuesen e Kosovës kur kanë nevojë", ka thënë Hoxha për gazetën tonë. 

(Kosova Sot)