Sot Partizani - Tirana, ose derbi i çudirave

  • 20 February 2017 - 16:57
Sot Partizani - Tirana, ose derbi i çudirave

E kemi ende të freskët derbin e fundit të luajtur mes Tiranës dhe Partizanit. U fikën dritat, zgjati dy ditë dhe nuk u shënua asnjë gol. Mendoni se ishte derbi më i çuditshëm i dekadave të fundit? Jo, ishte thjesht fillimi… Për ata që kanë dyshime se kjo ndeshje jo e zakonshme po luhet në kufijtë e anormales, po ju rendisim disa fakte për të treguar se ky i sotmi nuk është një derbi si gjithë të tjerët…

–Partizani luan si pritës në shtëpinë e Tiranës…

– Ultrasit e Tiranës bojkotojnë ekipin, por do të mblidhen te “Xhamlliku” për tifozllëk.

– Partizani bën tri blerje të mëdha, por dy prej tyre janë ende në stol (Sukaj, Cetkoviç), ndërsa një tjetër në tribunë (Bonifejs).

– Tiranës i bllokon FIFA merkaton dhe nuk bën asnjë blerje…

– Tirana ka dy sulmues që kanë shënuar të dy bashkë vetëm një gol në 21 javë kampionat.

– Partizani lufton për titull, por në tri ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm 2 gola…

– Tirana synon një vend në Europë, por në tri ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm 1 gol…

– Për herë të parë në një derbi do të mbetet një tribunë e gjitha bosh, sektori D2, ku zakonisht akomodohen “Tirona Fanatics”…

– Për herë të parë në një derbi, tifozët e Tiranës janë miq në shtëpinë e tyre dhe, për më tepër, do të vendosen në tribunën H (aty ku rrinte më parë Partizani).

– Tirana nuk e fiton një derbi prej 3 vitesh…

– Partizani nuk e fiton një titull prej 24 vitesh…

– Muzaka ikën nga Tirana dhe bëhet vendimtar te Skënderbeu…

– Për herë të parë, Tirana kënaqet edhe me një barazim…

[tirana formacioni]

– Për herë të parë, një barazim në derbi mund të shkaktojë “tërmet” te Partizani…

– Për herë të parë kur janë bashkë në Superiore, Partizani është kaq shumë favorit kundrejt bardhebluve…

– Nuk ka ndodhur kurrë, të paktën në vitet e fundit, që Policia e Shtetit të mos publikojë masat një ditë para derbit. Por ndoshta protesta e opozitës i ka shpërqendruar disi…

– E çuditshme, por e vërtetë: portierëve të Partizanit dhe Tiranës u ka ndodhur shpesh në këto 21 javë që të shpallen lojtarët më të mirë të ndeshjeve.

(Kosova Sot)