Gjithçka gati, Kosova po e pret fitoren e parë

  • 24 March 2017 - 09:00
Gjithçka gati, Kosova po e pret fitoren e parë

Fitorja e parë për Kosovën do të ishte motiv i madh për të ardhmen, shkruan gazeta Kosova Sot.

"E dimë se do të luajmë ndaj një Kombëtareje të fortë, siç është ajo e Islandës, por një gjë e tillë nuk na tremb. Aktualisht jemi në pritje të dy lojtarëve që luajnë në skuadra të huaja dhe kjo na inkurajon edhe më shumë", ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki
Gjithçka është gati. Sonte nga ora 20:45 pothuaj i gjithë populli i Kosovës do ta ketë vëmendjen në Shkodër, atje ku Përfaqësuesja jonë ndeshet me Islandën, sfidë kjo që luhet në kuadër të eliminatoreve për Botërorin "Rusia 2018". Të gjithë e dimë se Kosova nuk do të mund të kualifikohet në këtë Botëror, por rëndësia e kësaj sfide është jetike, pasi do të ketë ndikim të madh në të ardhmen e ekipit. Lojtarët duan të japin gjithçka për të dëshmuar sa e duan fanellën e vendlindjes dhe njëherësh për të konfirmuar se kjo Kosovë ka të ardhme të ndritur. Një humbje tjetër që do të ishte e katërta me radhë do t'i thyente moralisht lojtarët, gjë e cila pastaj do të kishte ndikim negative për sfidat e radhës. Kjo edhe ka bërë që i madh e i vogël të mobilizohet në mbështetje të këtyre djelmoshave.

Bunjaki: Nuk i frikësohemi Islandës

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki e ka parasysh sesa vështirë do ta ketë përballjen me Islandën, por ai beson shumë se këtë herë edhe fati do të jetë në anën e sulmuesve të tij, të cilët këtë herë në rastet e ofruara do të gjejnë golin e jo si në ndeshjet e kaluara kur topi nuk dëshironte të futej në rrjet. "Gjatë seancave stërvitore që kam zhvilluar me ekipin që nga momenti i grumbullimit, mund të them se djemtë janë duke u treguar mjaft aktivë dhe kanë përgatitjen e nevojshme për këtë ndeshje. Mbrojtja është në nivelin e duhur, por edhe lojtarët e mesfushës kanë treguar karakter të fortë. Personalisht, shpresoj shumë te lojtarët që do të aktivizohen nga minuta e parë në repartin e avancuar, pasi ata do të synojnë që të ndëshkojnë kundërshtarin. Të gjithë futbollistëve ua kam bërë me dije se do të kemi përballë një kundërshtar të fortë. Ata më kanë thënë se janë të fokusuar maksimalisht dhe nuk i druhen në asnjë moment rivalit, por do të luajnë me objektivin e vetëm për të marrë pikë në këtë përballje", ka thënë Bunjaki. "E dimë se do të luajmë ndaj një Kombëtareje të fortë, siç është ajo e Islandës, por një gjë e tillë nuk na tremb. Aktualisht jemi në pritje të dy lojtarëve që luajnë në skuadra të huaja dhe kjo na inkurajon edhe më shumë", tha trajneri, i cili sa i përket formacionit gjithçka do ta zbardhë vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes. "Ekipi im është i kompletuar me djem të rinj dhe të përgatitur, ndaj jam i bindur se do të bëjnë një lojë të bukur në Shkodër", përfundoi trajneri Bunjaki. 

Paçarada e Berisha: Duam vetëm fitore

Njëri nga futbollistët me më së shumti paraqitje te Kosova, Leart Paçarada, beson fuqishëm se ekipi ynë këtë herë do të arrijë rezultat pozitiv dhe, sipas tij, rezultat pozitiv është fitorja, pasi vetëm me këtë qëllim ata do të zbresin në fushë. Ngjashëm se përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, edhe Paçarada shpreson se këtë herë të kenë më shumë fat para portës kundërshtare dhe rastet e ofruara t'i shndërrojnë në gol. "Islanda përbehet nga një skuadër e komponuar shumë mirë, fizikisht janë shumë të fortë, por ne do të hyjmë në ndeshje me synimin për të marrë rezultat pozitiv", ka thënë Paçarada. Kosova deri tash ka zhvilluar katër ndeshje në eliminatore dhe nuk ka pasur rezultate të mira, duke marrë vetëm një pikë me vetëm një gol të shënuar, gjë e cila ka bërë që reparti sulmuesi të jetë bukur shumë në presion këtë herë. "Jemi skuadër e re dhe vazhdimisht po përmirësohemi. Synimi ynë është që Kosovën ta prezantojmë sa më mirë. Do të luajmë me përkushtimin më të madh, me zemër dhe si grup i bashkuar. Na presin lojë të vështira, por ne do ta bëjmë më të mirën", ka thënë Paçarada. Shumë optimist këtë herë është parë edhe golashënuesi i vetëm i Kosovës deri më tash në këto eliminatore, Valon Berisha. Ai ka thënë se ka besim te bashkëlojtarët dhe se është koha për fitore, edhe pse e ka të qartë se për të arritur atë duhet shumë punë, pasi kundërshtari është i një niveli të lartë. 

Atmosferë e zjarrtë

Në anën tjetër, një mbështetje të fortë për lojtarët kanë paralajmëruar edhe tifozët e Kosovës. Kryetari tifozëve "Dardanët", Lulëzim Berisha ka bërë të ditur se atmosfera në stadiumin "Loro Boriçi" do të jetë e zjarrtë. Ai ka treguar se është përgatitur një koreografi shumë e mirë për ndeshjen ndaj Islandës. "Dardanët" befasuan me atmosferën e jashtëzakonshme që krijuan në sfidën e fundit në Shkodrën ndaj Kroacisë, derisa tash premtojnë diçka edhe më spaktakolare, me qëllim që t'i motivojnë maksimalisht shumë lojtarët për këtë ndeshje tejet të rëndësishme. Sipas "Dardanëve", atje do të jenë diku rreth 1000 "dardanë", derisa 20 autobusë do të përkujdesen vetëm për transportin e tyre. Në anën tjetër, mësohet se edhe numri i biletave të shitura është i kënaqshëm, çka pritet që shkallët e stadiumit të jenë të mbushura me tifozë. 

(Kosova Sot)