Kushtet e mjerueshme në Kosovë

  • 24 March 2017 - 09:06
Kushtet e mjerueshme në Kosovë

Investohet pak në lojtarët e rinj.

Skuadrat kosovare të basketbollit u kushtojnë pak rëndësi lojtarëve të rinj. Por, basketbollistët e rinj ballafaqohen me shumë probleme në Kosovë. Kushtet për të punuar janë të mjerueshme dhe shumë pak investohet tek fëmijët. Trajneri Dritëro Sefaja shprehet se pak lojtarë të rinj depërtojnë nga Kosova dhe sa më shumë që qëndrojnë këtu, aq më vështirë e kanë të depërtojnë jashtë,shkruan gazeta Kosova Sot.
Derisa është investuar shumë nga skuadrat e basketbollit pas luftës, pak lojtarë të rinj kanë depërtuar në arenën ndërkombëtare. Kjo ndodh për shumë arsye. Infrastruktura e dobët, kushtet e rënda, mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare apo edhe trajnerët jocilësorë, janë disa nga arsyet pse shumë pak lojtarë të rinj dalin nga Kosova në Evropë. Por, edhe skuadrat në Kosovë nuk iu japin shumë hapësirë, duke i kushtuar më shumë rëndësi atyre të huaj, apo edhe ata që kanë fituar përvojë.

Pak lojtarë dalin nga Kosova

Trajneri i njohur që punon me lojtarët e rinj, Dritëro Sefaja ka thënë se një numër i vogël i lojtarëve të rinj depërtojnë jashtë. "Lojtarët e rinj, që dalin jashtë Kosovës, janë në numër të vogël. Nuk është e lehtë të depërtosh në Evropë, pasi shtetet apo klubet në punën me të rinjtë kanë avancuar shumë dhe vetëm ata që janë super talente ose që shumë herët dalin nga Kosova mund të kenë fat të mirë. Përndryshe sa më shumë që qëndrojnë në Kosovë, aq më vështirë e kanë të depërtojnë jashtë", ka thënë në fillim Sefaja për "Kosova Sot". Deri më tash, Kosova ishte e izoluar, kurse tashmë i është hapur dera për garat ndërkombëtare. "Me pranimin e Kosovës në FIBA është bërë një ndihmesë ndaj lojtarëve të rinj, sepse ata që janë më të mirët mund të përfaqësojnë Kosovën në Kampionatet Evropiane si U-16, U- 18, U-20 dhe përcillen nga shumë menaxherë të njohur", ka shtuar Sefaja. Ai thotë se kushtet e punës në Kosovë janë të mjerueshme. "Kushtet janë të mjerueshme tek ne. Asnjë palestër thuajse nuk i plotësohet kushtet për punë. Të gjitha sportet i zhvillojnë aktivitetet në një palestër dhe mund të merret me mend çfarë kushte kanë. Pra, mungon infrastruktura që është kryesorja", ka shtuar ai.

U kushtohet pak rëndësi

Por, edhe skuadrat në Kosovë u japin pak minuta lojtarëve të rinj dhe nuk u besojnë shumë. "Lojtarëve të rinj nuk u kushtohet rëndësi në skuadrat tona. Rëndësi i japin vetëm ekipit të parë dhe sjelljes së lojtarëve të huaj. Rast i veçantë mund të quhet klubi i Prishtinës, ku me ardhjen e sponsorit Kerasanit dhe Riinvestit, fëmijët e këtij klubi kanë mundësi të stërviten çdo ditë nga 90 minuta, kurse në klubet e tjera stërviten 2-3 herë në javë nga 60 minuta dhe atë me 30 ose 50 fëmijë në një sallë e jo në grupmosha të ndara". Tashmë ka filluar edhe licencimi i trajnerëve që do të punojnë në grupmoshat e reja. "Sa u përket trajnerëve, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka ndërmarr disa hapa shumë të rëndë- sishëm në avancimin e tyre. Për çdo vit dërgon trajnerë në programin FIBA FECC, që është programi më i lartë i avancimit të trajnerëve. Gjithashtu FBK-ja ka filluar me programin për avancimin e të gjithë trajnerëve vendorë dhe nga stinori i ardhshëm të gjithë trajnerët do t'i nënshtrohen testimeve dhe ata që nuk i kalojnë testet nuk do të kenë mundësi të punojnë me kategori të reja. Për mendimin im ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të kenë mundësi të gjithë që nuk janë trajnerë të merren me këtë zanat. Pra, përveç infrastrukturës, problem tjetër janë edhe trajnerët e nivelit jo të mirë. Gjithashtu një problem tjetër është se klubet nuk investojnë në të rinjtë e tyre", përfundoi Dritëro Sefaja.  

(Kosova sot)