Humbje shumë e hidhur

  • 25 March 2017 - 08:35
Humbje shumë e hidhur

Për Përfaqësuesen tonë kjo është humbja e katërt me radhë në këto eliminatore

Kosova humbi, por këtë herë dëshmoi se po rritet. Më nuk është ajo skuadra e lehtë, që mund të kalohet lehtë dhe pa djersë. Tash për ta mposhtur Kosovën duhet shumë punë

Kosova ka pësuar edhe një humbje në eliminatoret për Botërorin "Rusia 2018", këtë herë duke u mposhtur nga Islanda me rezultat 2:1. Përkundër mobilizimit maksimalit të të gjithëve në mbështetje të përfaqësueses sonë, kjo nuk ka mundur t'u ndihmojë djelmoshave të përzgjedhur nga Albert Bunjaki, të cilët përkundër që dhanë gjithçka në fushë nuk ia dolën. Edhe këtë herë nuk ishte se mungoi loja, pasi Kosova ishte më e mirë se Islanda, por edhe këtë herë u përsëriten gabimet e njëjta. Ishte mbrojtja ajo që vazhdon të lërë shumë për të dëshiruar, derisa aty ku vuanim shumë në sulm, duket se ka nisur të gjendet zgjidhja, pasi dyshja Besart Berisha e Atdhe Nuhiu e kryen punën si duhet. Sido që të jetë, Kosova po rritet, më nuk është ajo skuadra e lehtë, që mund të kalohet lehtë dhe pa mund, tash për ta mposhtur Kosovën duhet shumë djersë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Fillimi i mirë, shtylla e Berishës

Ndeshja nisi me ritëm shumë të lartë. Ishte Kosova ajo që diktonte lojën, duke i marrë në duar frenat e saj dhe qëndronte shumë më shumë në fushën e Islandës, e cila duke parë nivelin shumë të lartë të Kosovës në fazën ofensive sikur e ruante rastin me kundërsulme. Pas disa gjysmërasteve të Kosovës, erdhi edhe shansi më i mirë, kur Valon Berisha në minutën e 17-të gjuan furishëm, por ishte shtylla ajo që nuk e la topin të futet në rrjetë. Kjo e rriti entuziazmin e Kosovës, por për fat të keq pas një mospërqendrimi si duhet në mbrojtje vjen goli i mysafirëve, kur Sigurdarson nga afër arriti të shënojë gol. Ky shënim i islandezëve nuk e uli motivin e Kosovës, e cila vazhdonte kërkonte golin dhe kjo linte hapësira në mesfushë, gjë të cilën e shfrytëzuan mirë mysafirët, kur përmes një kundërsulmi futën në zonë dhe ishte Benjamin Kololli ai, i cili në orvatje për ta larguar topin shkakton penallti, të cilën në gol e shndërroi Sigurdsson. Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Shpresa e Nuhiut

Në pjesën e dytë Bunjaki sikur besoi te skuadra e pjesës së parë, duke mos bërë asnjë zëvendësim. Edhe kjo periudhë nisi furishëm për Kosovën dhe pas një goli të shënuar nga Berisha, por që u anulua për pozitë jashtë loje, ishte Atdhe Nuhiu që shënoi gol në debutim. Pas një aksioni të mirë të nisur nga Valon Berisha, i cili për shkurtazi e gjeti Herolind Shalën, ku ky si me dorë e shërbeu Nuhiun, i cili me një gjuajtje të fortë me kokë shënon për golin e dytë të Kosovës në përgjithësi në këto eliminatore. Kjo e entuziazmoi gjithë publikun në shkallët e stadiumit "Loro Boriçi", gjë e cila edhe i futi frikën Islandës, e cila në këtë periudhë më shumë ishte e interesuar ta ruajë rezultatin sesa të kërkojë golin e sigurisë. Kosova ka nisur më vrullshëm ta atakojë portën në kërkim të golit të barazimit, por me kalimin e kohës edhe freskia te lojtarët e përfaqësueses sonë bie, çka vërehej një lodhje tek ta.

Zëvendësimet nuk ndihmuan

Përzgjedhësi i Kosovës duke parë se skuadra po lodhet u mundua me zëvendësime ta mbajë të freskët atë, duke futur në lojë, Besart Celinën, Donis Avdijajn e Bernard Berishën, tre futbollistë shumë të shpejtë, por ja që ata u mbuluan shumë mirë dhe nuk gjenin hapësira. Gjithsesi, presioni ishte i skuadrës sonë dhe kjo i futi frikën trajnerit islandez, që e përforcoi mesfushën defensive. Sido që të jetë deri në fund të ndeshjes, Kosova u munda të bëjë diç, por mbrojtja kundërshtare ishte shumë e fortë dhe nuk lejonte hapësira gjë, e cila edhe bëri që rezultati të mbetet i pandryshuar. Për Kosovën kjo ishte humbje e katërt me radhë, derisa Islanda pas kësaj fitoreje dukshëm i ka rritur shanset për t'u kualifikuar tutje.

(Kosova Sot)