Vit i problemeve

  • 25 March 2017 - 08:37
Vit i problemeve

INTERVISTË ME TRAJNERIN MUHAMED THAÇI

Shumë punë me vashat e reja për suksese

Njëri nga basketbollistët që ka lënë gjurmë në basketbollin e Kosovës është Muhamed Thaçi. Ai luajti për Prishtinën, Pejën, Trepçën e Mabetexin, duke qenë ndër lojtarët kyçë në kohën kur basketbolli u vlerësua me cilësinë më të lartë që kishte. Thaçi thotë se ky edicion në basketbollin kosovar është shoqëruar me shumë probleme financiare dhe ndërrime të trajnerëve. "Muja" është trajner i Kosovës U-16 te femrat, ku premton maksimumin për suksese

Skuadrat e basketbollit në këtë edicion kanë marrë shumë kritika për ndërrimin e lojtarëve të huaj që nuk ishin shumë cilësorë, por edhe të trajnerëve. Kështu ndodhi te disa skuadra që assesi nuk u rehatuan, derisa kanë një edicion me batica e zbatica. Problemet financiare ndikuan edhe në transferimet e lojtarëve të huaj, si dhe cilësinë në përgjithësi të Superligës së Kosovës në basketboll. Në këtë edicion mungoi cilësia dhe shikueshmëria, e kjo edhe për shkak të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare, derisa u 'harruan' garat vendore.

Cilësi jo shumë e lartë

Njëri nga basketbollistët që ka lënë gjurmë në basketbollin kosovar është Muhamed Thaçi. I njohur për lojën e tij me zemër dhe me dëshirë të madhe, Thaçi ishte shumë i adhuruar nga tifozët në Kosovë. Ai tashmë është përzgjedhës i Kosovës U-16 në konkurrencën e femrave. Thaçi ka thënë se ky edicion ishte një vit jo me cilësi të lartë. "Të them të drejtën, nuk e kam përcjellë aq shumë, megjithatë, ka qenë një vit me kualitet jo të lartë dhe të shumë problemeve financiare dhe ndërrime të trajnerëve", ka thënë në fillim Thaçi për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se ka vizituar shumë klinika të trajnerëve dhe po sheh nga afër sesi basketbolli modern po ndryshon. "Kohët e fundit kam qenë shumë i zënë. Jam fokusuar në punën time dhe ka vizituar shumë klinika të trajnerëve të ndryshëm të trajnerëve me renome për ta përcjellë nga afër sesi basketbolli modern po ndryshon", ka shtuar ish-basketbollisti i Prishtinës, Pejës, Trepçës e Mabetexit. Ndërkohë, Thaçi jo vetëm që ishte basketbollist i suksesshëm, por edhe hendbollist, dhe kjo i ndihmoi shumë në karrierën e bujshme që kishte. Ai luajti edhe në Maqedoni e në Turqi. 

Image

Maksimumin me vashat e reja

Ndërkohë, Thaçi ka filluar edhe një mision në Kosovë. Ai është emëruar përzgjedhës i Kosovës U-16 në konkurrencën e femrave. Thaçi premton maksimumin me vashat e reja. "Sa i përket punës si përzgjedhës, punoj me shumë emocione dhe përkushtim të lartë, vetëm e vetëm për t'iu ndihmuar të rinjve dhe të rejave nga Kosova me përvojën time si lojtar dhe si trajner që katër vjet. Plani është shumë i thjeshtë, profesionalizëm deri në maksimum dhe shumë, shumë punë për t'iu dhënë vizion vashave të reja se si punohet jashtë Kosovës. Shpresoj dhe besoj se do t'ia arrijmë qëllimet dhe synimet që i kemi", ka përfunduar Muhamed Thaçi. Ai së fundi, së bashku me ndihmësen e tij, Kimete Halitin, i kanë ftuar në grumbullimin e parë të gjitha vajzat e lindura në vitin 2001 e më të reja. Në grumbullim mund të marrin pjesë vajzat nga të gjitha klubet e qyteteve të Kosovës, por edhe nga jashtë vendi. Grumbullimi i parë do të mbahet të dielën nga ora 12:00 deri në 14:00 në palestrën e sportit të gjimnazit "Sami Frashëri" në Prishtinë. Duhet theksuar se Kosova U-16 do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni C, që do të mbahet në Gjibraltar prej 25 deri më 30 korrik 2017. Kosova do të bëjë gara në grup me Gjeorgjinë dhe Maltën.

(Kosova Sot)