Synojnë Evropën

  • 25 March 2017 - 08:40
Synojnë Evropën

SKUADRAT E HENDBOLLIT BESOJNË SE MUND T'I REALIZOJNË QËLLIMET E TYRE

Pjesëmarrja në garat evropiane, atraktive për skuadrat kosovare

Derisa nuk po arrijnë të luftojnë për titullin e kampionit, synim e kanë pjesëmarrjen në garat evropiane. Ndeshjet në garat shtesë kanë qenë shumë interesante dhe kështu pritet të jetë deri në përfundim të kampionatit, ku do të qartësohet se kush do të marrë pjesë në garat evropiane. Besa Famiglia shihet si e pakonkurrencë për titull e Kupë

Skuadra e Besa Famiglias po shihet si e pakonkurrencë për titull e Kupë. Skuadra pejane po vazhdon të dominojë edhe këtë edicion në hendbollin kosovar dhe nuk ka asnjë humbje deri më tani dhe vështirë se ndonjë ekip mund t'iu prishë punë. E, derisa nuk po arrijnë të luftojnë për trofe do të mundohen që së paku të marrin pjesë në garat ndërkombëtare dhe ky mbetet qëllimi i vetëm për këtë edicion, shkruan gazeta Kosova Sot.

Besojnë në objektivat e tyre

Njëra nga skuadrat që ka pasur batica e zbatica këtë edicion është Prishtina te meshkujt. Skuadra prishtinase u ballafaqua me disa probleme, megjithatë, është mobilizuar për të harruar të gjitha problemet dhe synojnë t'i përmbushin qëllimet e tyre. Trajneri i kësaj skuadre, Arben Parduzi ka thënë se synimi i tyre është finalja në kampionat dhe Kupë. "Synimet e Prishtinës janë që të kualifikohemi në finale të Kampionatit dhe në finale të Kupës së Kosovës në hendboll. E dimë se do të jetë vështirë, pasi kemi pasur probleme dhe me largimin e lojtarëve që kanë qenë, por me ardhjen e disa lojtarëve të rinj në ekip, jemi munduar të komponohemi sa më mirë dhe të bëjmë lojëra sa më të mira dhe normalisht që të jemi sa më lart në tabelë", është shprehur Parduzi për "Kosova Sot". Kryeqytetasit i presin ndeshje shumë të vështira, megjithatë Parduzi beson do të përfundojnë sa më të lartë në renditje, mjaftueshëm për të marrë pjesë në garat evropiane. "Kemi shumë ndeshje të rëndë- sishme këto javë dhe të vështira, por shpresojmë se do të marrim rezultate pozitive dhe të arrijmë synimet e klubit që të jemi së paku në tri pozitat e para, pasi tri pozitat e para marrin pjesë në garat ndërkombëtare dhe ky ka qenë qëllimi ynë nga fillimi i edicionit. Shpresoj se do të përmbyllim një edicion sa më të suksesshëm", përfundoi Arben Parduzi.

Image

Nga fillimi menduan për garat evropiane 

Edhe Trepça synon garat evropiane. Kjo skuadër ka zhvilluar ndeshje shumë të mira këtë edicion dhe në pranverë është mundur vetëm nga Besa Famiglia. 'Xehetarët' janë 'ringjallur' këtë edicion dhe besojnë se mund t'i realizojnë synimet e tyre. Kështu thotë edhe trajneri i kësaj skuadre, Taib Kabashi. "Jemi të kënaqur me paraqitjet e deritanishme këtë edicion dhe synimi ynë nga fillimi i edicionit ka qenë pjesë- marrja në garat ndërkombëtare. Këtë synim e kemi edhe tani. Normalisht në garat shtesë ndeshjet do të jenë të forta dhe aspak të lehta, megjithatë ne besojmë në synimet tona. Pasi Besa Famiglia është e pakonkurrencë ne synojmë që të marrim pjesë në garat evropiane. Besoj se këtë synim mund ta realizojmë, duke marrë parasysh rezultatet e deritanishme, ndeshjet që i kemi zhvilluar, si dhe ekipin që kemi", është shprehur Kabashi për gazetën tonë. 

(Kosova Sot)