Dy kosovarët e Kombëtares Shqiptare i prishin raportet me De Biasin

  • 25 March 2017 - 14:42
Dy kosovarët e Kombëtares Shqiptare i prishin raportet me De Biasin

Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi nuk kanë mbërritur në Tiranë me Kombëtaren pas disfatës me Italinë. Justifikimi zyrtar është se lojtarët janë të dëmtuar dhe kanë lënë para kohe grumbullimin, një pretekst i vështirë për t’u besuar. 

Dy futbollistët janë revoltuar me vendimet e trajnerit Gianni De Biasi, jo vetëm për faktin se nuk u aktivizuan si titullarë, por gjithashtu nuk patën asnjë minutë në dispozicion edhe si zëvendësues në Palermo. 

Fërkimet e para me trajnerin, Xhaka i ka patur që në Europian, pas zëvendësimit në ndeshjen me Zvicrën. Lojtari ka kërkuar llogari për zëvendësimin dhe prej atij momenti raporti i De Biazit me Xhakën është ftohur ndjeshëm.

Sa i takon Abrashit, ai nuk ka patur ndonjë konflikt verbal me trajnerin, por pas mbarimit të Europianit gjërat ndryshuan për të ndonëse ishte tek lojtarët që u paraqit më mirë në këtë kompeticion. Për të gjërat filluan të marrin për poshtë në ndeshjen në Lihtenshtein ku u zëvendësua pas mbarimit të pjesës së parë, ndonëse skuadra ishte duke fituar. 

Më pas ai nuk luajti ndaj Spanjës, Izraelit dhe së fundmi ndaj Italisë duke e rritur më shumë nervozizmin e lojtarit ndaj vendimeve pa shkak të trajnerit. Lajmi është konfirmuar nga "Super Sport", teksa ata mund të jenë dy lojtarët e radhës që mund të kenë fatin e Kaçes.

(Kosova Sot)