Bunjaki gaboi

  • 28 March 2017 - 09:00
Bunjaki gaboi

Superliga jonë vazhdon të mos jetë joshëse për përzgjedhësin .

"Sigurisht, mendoj që ka pasur hapësirë për të qenë pjesë e Përfaqësueses, së pak 1 ose 2 lojtarë prej Superligës. Duhet të jemi realë, liga jonë nuk është edhe aq kualitative dhe ngjashëm si Bunjaki veprojnë edhe shumë kombëtare të Ballkanit, të cilat nuk thirrin lojtarë nga ligat vendore. Mirëpo, për të qenë në grumbullim besoj se ka pasur vend për lojtarë të Superligës", ka thënë Arsim Plepolli

Futbolli i Kosovës vazhdon të mbetet në një situatë aspak të mirë. Kushtet e vështira financiare nëpër klube, organizimi i dobët e mbi të gjitha infrastruktura larg kritereve ndërkombëtare po ndikon drejtpërdrejt edhe në ngritjen e cilë- sisë së futbollit, gjë kjo që e ka lënë Superligën e Kosovës shumë më mbrapa vendeve përreth. Kjo edhe është arsyeja që përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki të mos jetë shumë i joshur nga lojtarët e Superligës, të cilët vazhdon t'i "injorojë" dhe mos t'i përfshijë në Kombëtare. Për këtë veprim përzgjedhësi u pat kritikuar shumë, por ja që kjo nuk ndikoi tek ai, pasi Bunjaki vazhdon të veprojë njëjtë si në të kaluarën. Në sfidën e fundit që Kosova e zhvilloi ndaj Islandës vetëm një futbollist i Superligës u ftua dhe ai portier, Bledar Hajdini i Trepçës'89. Sipas njohësve të futbollit, Përfaqësuesja ka vend për së paku dy futbollistë, qoftë vetëm sa për grumbullim, pasi kjo do t'i motivonte gjithë futbollistët e Superligës, të cilët do të luftonin shumë më shumë me shpresë për një ftesë nga përzgjedhësi.

Niveli i dobët, por ftesa nuk duhet të mungojë Ish- futbollisti i njohur kosovar Arsim Plepolli, i cili në karrierën e tij pati fatin të luajë në kampionate të ndryshme evropiane, ka thënë se niveli i futbollit tonë realisht nuk është i kënaqshëm, por kjo nuk duhet të jetë shkas që të injorohen plotësisht futbollistët e ligës vendore. "Sigurisht, mendoj se ka pasur hapësirë për të qenë së pak 1 ose 2 lojtarë prej Superligës së Kosovës në grumbullim. Tash, a do aktivizoheshin apo jo në lojë, unë nuk mund ta di", ka thënë Plepolli, i cili e pranon se futbolli ynë është ende larg pritshmërive. "Duhet të jemi realë, Superliga jonë nuk është edhe aq kualitative dhe për këtë duhet të jemi të sinqertë. Edhe shumë kombëtare të tjera të Ballkanit veprojnë njëjtë, duke mos i ftuar shumë lojtarët nga ligat vendore. Mirëpo, gjithsesi mendoj se së paku 2 lojtarë të Superligës kanë mundur të ftohen për të qenë pjesë e grumbullimit të ekipit përfaqësues", ka thënë Plepolli.

Motivi rritet Futbolli ynë duhet pranuar se nuk është aq atraktiv dhe se lojtarët e rinj, që janë pjesë e kësaj Superligë, këtë punë e bëjnë për shkak të dashurisë së madhe që kanë për futbollin e jo që shohin ndonjë perspektivë të madhe. Andaj, ftesa në kombëtare do të ishte një arsye më shumë që futbolli ynë të jetë joshës për lojtarët që janë pjesë e kësaj Superlige. Kështu mendon edhe Plepolli, i cili nga këndi i një ish- futbollisti e kupton shumë mirë ndjenjën e një lojtari të ri. "Sigurisht që po të ftoheshin disa lojtarë të rinj në ekipin përfaqësues, motivi do shtohet edhe te lojtarët e tjerë. Besoj që edhe dëshira për t'i treguar selektorit që meritojnë të jenë në grumbullimin e Përfaqësueses së Kosovës do të rritej maksimalisht dhe sigurisht që kjo pastaj do të ndikonte direkt edhe në ngritjen e futbollit vendor", ka përfunduar Arsim Plepolli

(Kosova Sot)