Bunjaku: Heshtja e skandaleve u hap rrugën skandaleve të reja

  • 19 April 2017 - 08:46
Bunjaku: Heshtja e skandaleve u hap rrugën skandaleve të reja

7 javët e mbetura shpresohet të kalojnë në frymë sportive.

"Kanë kaluan dy javë nga publikimi i skandalit, i cili në dy ditët e para ngriti në këmbë gjithë opinionin në vend, por për çudi kjo çështje ra në heshtje. Në vend se këto veprime degraduese të merren më me seriozitet, këmbëngulësi dhe urgjencë, ato i heshtin, gjë e cila vetëm u hap rrugë skandaleve të reja", ka thënë Nexhmedin Bunjaku,raporton Gazeta Kosova Sot.

Kanë kaluar dy javë që kur i gjithë opinioni futbolldashës në Kosovë u shokua pas një publikimi të një video-skandali në të cilin shiheshin trajneri i mirënjohur, Ismet Munishi (atë kohë trajner i Dritës), dhe gjyqtarët Bajram Gashi e Edmond Zeqiri, si dhe delegati i FFKsë, Ali Ajeti, duke biseduar për manipulime të ndeshjeve. Mirëpo, tash kur kemi hyrë në javën e tretë nga ai skandal, ende asnjë vendim nuk është sjell, edhe pse reagimet si nga ana e Federatës së Futbollit ashtu edhe të Ministrisë së Sportit ishin të ashpra, të cilat u zotuan se do të luftojnë maksimalisht për ta ndaluar këtë dukuri negative, e cila ka kohë që e ka kapluar futbollin tonë. Se kjo heshtje a ka ndonjë qëllim, apo vërtet gjërat po pritet të bëhen ashtu siç duhet, mbetet të shihet, por një është e sigurt sa më shpejt që merren masa ndaj së keqes, aq më e mirë është e ardhmja dhe nuk lë hapësira që këto 7 javët e mbetura të përballen me parregullsi. Një burim i afërt me Federatën e Futbollit të Kosovës, ka njoftuar se vendimi për të akuzuarit e atij skandali do të merret gjatë kësaj jave. Në anën tjetër, njohësi i mirë futbollit Nexhmedin Bunjaku, ka thënë se heshtja ka një qëllim pasi ka të atillë që u konvenon që skandalet të mos zbulohen.

Vendimi gjatë javës

Trajneri Ismet Munishi, dy gjyqtarët, Bajram Gashi e Edmond Zeqiri dhe delegati i FFK-së, Ali Ajeti, janë në pritje të një vendimi nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili është duke e hetuar rastin. Ky disiplinor në javën e kaluar u vazhdoi pezullimin që kishin marrë nga komisioni i garave deri në kompletimin e dokumentacionit, i cili besohet se tashmë është gati. "Vendimi nuk është marrë ende, por besoj se gjatë kësaj jave do të merret", ka thënë shkurt një burim i afërt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Gjithsesi, disiplinori nëse i vërteton të gjitha ato që u panë në atë videoskandal këta emra të njohur të futbollit mund të bëhen "kurban", pasi duhet pranuar se jo rrallë futbolli ynë është ballafaquar me dukuri negative, siç është ai i kurdisjes së rezultateve.

Analistët kërkojnë zbardhjen e rastit

"Është e vërtetë që kanë kaluan dy javë nga publikimi i skandalit, i cili në dy ditët e para ngriti në këmbë të gjitha mediet dhe opinionin, por për çudi kjo çështje ra në heshtje. Në vend se këto veprime degraduese të merren më me seriozitet, këmbëngulësi dhe urgjencë dhe të dihet epilogu që do të ndihmonte apo do të kishte ndikim pozitiv në vajtjen e kampionatit. Federata si institucion më i lartë i futbollit në Kosovë duhet në vazhdimësi të reflektojë në çështje të tilla, të kërkojë që të zbardhet ky skandal, por edhe skandalet e tjera çka do të dëshmonte se sa federata i lufton këto dukuri degraduese, por këtu po vërehet e kundërta, pasi e gjitha po kalon në heshtje dhe nuk ka më kurrfarë reagimi as nga federata e as nga MKRS", ka thënë Nexhmedin Bunjaku, i cili ngre një dilemë se këto skandale po heshtin pasi frikësohen se ato mund të zbulojnë diçka më të madhe. "Ismet Munishi para një viti kërkonte me këmbëngulësi që mediet të zbulojnë kurdisjet që ai i quante te shumta. Ai duket se di diçka dhe unë dyshojë se heshtje bëhet për shkak se aty janë të përfshirë edhe aktorë të tjerë, përveç atyre që tashmë veç po i di opinion", ka thënë Bunjaku. "Parandalimi i të këqijave nuk bëhet me heshtje, por me zbardhjen e tyre dhe nëse dëshmohet fajësia, atëherë të jepet edhe dënimi i merituar kushdo dhe ngado qofshin ata keqbërës. Kjo heshtje u konvenon vetëm atyre që janë të prirë të shkaktojnë këso lloj skandalesh dhe me këtë po e degradojnë imazhin dhe vetë futbollin e Kosovës", përfundoi Bunjaku.

(Kosova Sot)