Capello: Futbollistët e Realit bënë ndërhyrje kriminale ndaj Messit

  • 25 April 2017 - 13:20
Capello: Futbollistët e Realit bënë ndërhyrje kriminale ndaj Messit

Trajneri Italian, Fabio Capello akuzon lojtarët e Real Madridit se vazhdimisht janë përpjekur që ta plagosin me dashje Lionel Messin, ndërsa e quajti një “sfidë kriminale” nga ana e Sergio Ramos, teksa ndërhyri ndaj asit të Barcelonës, gjatë “El Clasico” të së dielës.

Ish-trajneri i “Los Blancos” e mbuloi këtë ndeshje si bashkëkomentator për “Fox Sports Italia”, teksa ishte i lodhur nga ajo, që Capello e pa si përpjekje të ashpër dhe të qëllimshme për të lënduar Messin, i cili u la në gjak, pas goditjes me bërryl në fytyrë nga Marcelo, pa llogaritur tri ndërhyrje të rënda nga Casemiro vetëm në pjesën e parë.

Në të vërtetë, Capello, i cili fitoi dy tituj të La Liga në krye të skuadrës nga “Santiago Bernabeu”, ishte i inatosur me goditjen e dyfishtë të Sergio Ramosit ndaj argjentinasit, gjë që rezultoi fatale për mbrojtësin e Realit, sepse kapiteni u ndëshkua me karton të kuq.Qendërmbrojtësi spanjoll mendonte se pezullimi i tij i pestë në historinë e “El Clasico” ishte i tepruar, ndërsa drejtori i Real Madridit, Emilio Butragueno, tha se vendimi ishte i diskutueshëm.

Capello, megjithatë, nuk kishte asnjë dyshim se Ramos meritonte të kuqin, duke argumentuar se kjo ishte dëshmi e mëtejshme e trajtimit të vazhdueshëm “kriminal” ndaj numrit 10 të Barçës.

“Ju e dini se çdo herë që ka një “El Clasico” në Bernabeu, ndodh që lojtarët e Real Madridit përpiqen ta lëndojnë Messin. Ddhe, çdo herë, gjithmonë është një karton i kuq për ta”, tha trajneri italian gjatë lojës, njofton Telesport.al.“Shikoni ndeshjen, një ndërhyrje kriminale, një faull i qartë me dashje i Ramos, por edhe i të tjerëve, që tejkalojnë të drejtën sportive” u shpreh Capello.

El Clasico, e zhvilluar të dielën përfundoj me rezultat 2 me 3 për Barcelonën, duke e rikthyer Barcelonën në ‘luftë’ për titullin e La Ligës.

Barcelona tashmë prinë në ligën spanjolle me pikë të barabarta me Real Madridin, që ka një ndeshje më pak.

(Kosova Sot)