Presioni te "Nikli" dhe Prishtina

  • 30 April 2017 - 09:28
Presioni te

Luftë e ashpër dhe joshëse po bëhet edhe në pjesën e poshtme të tabelës

Fitorja e Trepçës'89 dje ndaj Hajvalisë ka çuar diferencën e pikëve në 10 ndaj Feronikelit dhe 11 ndaj Prishtinës, kështu që për këto dy skuadra përballjet e kësaj fundjave janë një presion shumë i madh, pasi në rast dështimi atëherë përfundimisht do t'i humbin të gjitha gjasat në luftë për titull. Kjo edhe është arsyeja që ndeshjet Besa - Prishtina dhe Gjilani - Feronikeli të priten me kërshëri, pasi besohet se do të prodhojnë futboll të bukur dhe shumë të fortë. Gjithsesi, luftë e ashpër pritet edhe te skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës, ku vëmendja do të jetë në Gjilan, te sfida Drita - Ferizaj, ballafaqim ky që mund të përcaktojë fatin e këtyre skuadrave, raporton gazeta Kosova Sot

Prishtina dhe Feronikeli, të qeta

Prishtina, pas pesë fitoreve radhazi, duket shumë e qetë dhe drejt Pejës udhëton e bindur se do të fitojë, edhe për shkak të problemeve të fundit që janë paraqitur në skuadrën pejane, ku futbollistët për shkak të vonesës së pagave kanë refuzuar të stërviten. Sido që të jetë, ky problem duket se është kaluar dhe se Besa e përgatitur e pret Prishtinën me pretendime për t'ia ndalur hovin trajnerit Arsim Thaqi, i cili nën drejtimin e bardhekaltërve ka 5 ndeshje dhe që të gjitha i ka fituar. Në anën tjetër një ndeshje pothuajse vendimtare është edhe ajo e Feronikelit, që e luan në Gjilan, ku ballafaqohet me Gjilanin. Skuadra gjilanase është e qetë në mesin e tabelës, derisa ekipi i Afrim Tovërlanit assesi nuk guxon të humbasë, ndryshe do të bënte të pamundur arritjen e Trepçës'89, e cila tashmë është shkëputur në tabelë. Kjo edhe është arsyeja që nga Prishtina dhe Feronikeli të pritet një lojë shumë e angazhuar, por për të ardhur te pikët natyrisht se iu duhen edhe shumë punë për të bërë.

Në Gjilan luftohet për mbijetesë

Një sfidë që ka zgjuar vëmendjen e dashamirëve të futbollit është ajo në Gjilan, ku skuadra e Dritës e pret Ferizajn. Drita e Ferizaj cilësohen si dy skuadrat kryesore në luftë për barazh, kështu që kjo ndeshje mund të sqarojë shumëçka. Në rast të fitores së Dritës, atëherë gjërat do të komplikoheshin edhe më shumë, derisa në rast të fitores së Ferizajt atëherë skuadra gjilanase përfundimisht mbijetesën do të duhet ta kërkojë përmes barazhit, derisa Ferizaj do të bënte një hap të madh drejt ruajtjes së statusit të skuadrës elite. Kjo edhe është arsyeja të pritet një sfidë shumë e fortë dhe pa kalkulime. Një ndeshje shumë e rëndësishme për Lirinë zhvillohet në Podujevë, ku skuadra prizrenase udhëton më synim të marrë pikë, kjo edhe për shkak se Llapi nuk do të ketë motiv të madh për fitore, pasi ajo tashmë është e sigurt në pjesën e epërme të tabelës dhe nuk rrezikon asgjë. Kjo edhe është arsyeja që pikët të jenë shumë më të nevojshme për Lirinë e cila gjendet në një pozitë të keqe në tabelë. Se a do të arrijë të shfrytëzojë këtë situatë të Llapit, i cili mendjen e ka te Kupa dhe jo shumë te kampionati mbetet të shihet. Drenica udhëton në Mitrovicë, për t'u ndeshur me Trepçën, skuadër kjo që duket se ka hequr dorë nga mbijetesa pas humbjes që pësoi në fundjavë nga Trepça'89.

(Kosova Sot)