Anashkalohet sporti

  • 16 June 2017 - 11:52
Anashkalohet sporti

S'ka plan strategjik për daljen nga kriza 

Për shkak të infrastrukturës së dobët, klubet dhe sportistët vazhdojnë të ballafaqohen me shumë probleme. Në vitet e fundit është pak në sportin kosovar me investime kapitale, që do të zgjidhnin shumë probleme. Gjithashtu edhe sukseset më të mëdha kanë ardhur nga sportet individuale, kurse ato kolektive janë ballafaquar me shumë probleme. Ligji për Sponsorizime nuk po zbatohet, derisa mungon edhe përkrahje institucionale për të dalë nga kjo krizë e thellë.

Mungojnë edhe rezultatet

Trajneri i njohur i volejbollit, Naser Krasniqi, është shprehur se është bërë pak për sportin në Kosovë dhe jo ashtu siç e meriton. "Sa i përket sportit është e vërtetë se është bërë shumë pak. Edhe rezultatet janë shumë të zbehta, vetëm aty-këtu me sporte individuale që mund të veçojmë raste të rralla, si Majlinda Kelmendi, kurse sa i përket sporteve kolektive rezultatet nuk janë aspak të dëshirueshme. Pas luftës ka mbretëruar një entuziazëm i madh në sport, gjithmonë duke shpresuar se do të vijnë kohë të mira, por fatkeqësisht jemi më keq tani se ajo kohë", ka thënë Krasniqi për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se mungesa e planit për të dalë nga kjo situatë, ka bërë që kjo krizë të mos kalojë. "Nuk kemi plan strategjik për daljen nga kjo situatë aktuale dhe lirisht mund ta kërkojmë shkakun te mosmbështetja e institucioneve shtetërore. Kjo ka ardhur si pasojë e asaj se Ministria e Sportit nuk ka pas plan për financimin e sporteve, dhe se me ndërrimet e shpeshta të ministrave të sportit, varësisht nga lëmia nga e cila ata kanë ardhur në këtë post, kemi si pasoj edhe prioritetet e ndryshme sa i përket kësaj çështje. Për këtë shkak nuk kemi plane strategjike afatgjate", ka shtuar tutje trajneri i njohur i volejbollit, që ka dhënë shumë për këtë sport. 

Nuk zbatohet as Ligji për sponsorizime

Pengesë e madhe është edhe Ligji për sponsorizime, që nuk po zbatohet në praktikë. "Pengesë shumë e madhe është Ligji për sponsorizime aq shumë i përfolur, dhe sot e kësaj dite akoma nuk implementohet në praktikë, gjë që vështirëson edhe investimet nga bizneset në sport në përgjithësi. Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka sjell edhe pranimin e të gjitha sporteve dhe se tani jemi në situatë krejtësisht tjetër në krahasim me periudhën e pasluftës, ku sporti tani kërkon investime shumë më të mëdha dhe se shpenzimet për të dalë në arenën ndërkombëtare janë shumë më të mëdha se më parë", nënvizoi tutje trajneri që ka punuar me dekada të tëra në volejbollin kosovar. Sportet kolektive kanë mbetur shumë prapa në krahasim me ato individuale, sidomos sa i përket suksesit. "Tani kur ballafaqohemi në gara me shtete të tjera më të zhvilluara në çdo sport jemi shumë larg sidomos me ato sporte kolektive si futbolli, basketbolli, hendbolli dhe volejbolli. Shkaku sipas mendimit tim është mos hartimi i planeve strategjike afatgjate nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe departamentet e saj", përfundoi Naser Krasniqi.

(Kosova Sot)