Pse hesht Këshilli Profesional?

  • 19 June 2017 - 08:42
Pse hesht Këshilli Profesional?

F ederata e Futbollit e Kosovës, përveç shumë komisioneve, në gjirin e saj ka edhe Këshillin Profesional të Trajnerëve, i cili funksionon si i pavarur, por që është i thirrur t'i japë këshilla këtij institucioni, kur janë në pyetje ndryshimet pozitive në futbollin kosovar. Ky Këshill mund të propozojë ndryshime në sistemin e garave, kur ai duket se nuk po ecën si duhet, por mund të këshillojë edhe me mënyrën e funksionimit të punës në kategoritë e reja të përfaqësueses. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një lufte të ashpër në Përfaqësuesen e Kosovës, në relacionin trajner-lojtarë. Tashmë hapur dy yjet të Kosovës, Bersant Celina dhe Besart Berisha, kanë dalë kundër mënyrës së punës së trajnerit Albert Bunjaki. Celina e ka pranuar që nuk e pëlqen vendimin e Bunjakit për të qëndruar në stol, megjithatë ai ka thënë se do ta respektojë çdo vendim të tij, madje edhe se fundmi pranoi të shkojë tek Përfaqësuesja U21, duke mos u ftuar fare në ekipin e parë. Mirëpo, kështu nuk mendoi sulmuesi Besart Berisha. Ai menjëherë pas ndeshjes me Turqinë, për të cilin ishte e dyta me radhë, doli me një deklaratë "shokuese", duke thënë se kurrë në karrierë nuk ka parë një trajner më të dobët se Bunjaki. Ky reagim hapi debat të madh dhe nuk mbeti njeri pa e komentuar, përveç Këshillit Profesional të Trajnerëve. Në fakt ndoshta do të ishte jokorrekte ata të dalin dhe të kërkojnë shkarkimin e përzgjedhësit, por për të mirën e futbollit kanë mundur të deklarohen për situatën aktuale, e cila do të shërbente në qetësimin e saj. Për ish- gjyqtarin e mirënjohur kosovar, Nexhmedin Bunjaku, arsyeja pse ky Këshill nuk deklarohet është frika.

Frikësohen nga FFK-ja

"Këshilli Profesional, i përbërë nga Ajet Shosholli (kryetar), Bylbyl Sokoli dhe Gani Sejdiu (anëtarë), me heshtjen e tij (përveç Sokolit në një prononcim tërthorazi) tregon qartë se edhe ky Këshill është nën diktaturën e prijësve të FFK-së dhe nuk guxon të reflektojë apo të veprojë si i pavarur, pa marrë leje nga i pari i federatës", ka thënë Bunjaku, i cili befasohet me përvojën e Shoshollit dhe heshtjen e tij. "Ajet Shosholli, si ish-trajner i përfaqësueses së parë, pas pavarësimit të futbollit të Kosovës, trajner i shumë skuadrave, me një përvojë të madhe, nuk reflekton së paku me një analizë të drejtë dhe korrekte, qoftë edhe si analist i pavarur. Shosholli dhe Këshilli që ai e udhëheq nuk reflekton, sepse frikë- sohet se do t'i humbë tri postet që i mban (kryetar i Këshillit Profesional, kryetar i Shoqatës së trajnerëve dhe drejtor tek KF Trepça), plus djalin e ka të punësuar në FFK dhe kjo nuk me habit fare, por habitem pse nuk reflektojnë të tjerët, pra anëtarët e tjerë të Këshillit Profesional, së paku të bëjnë trysni mbi bordin e FFK-së, që sa më shpejt të mblidhet dhe të vendose mbi pozitën e përzgjedhësit Bunjaki", ka thënë Bunjaku, i cili tashmë hapur i ka shpallur luftë drejtuesve të FFK-së, ku sipas tij ata nuk janë të denjë ta çojnë futbollin përpara.

Trajnerët kritikojnë

Përderisa Këshilli Profesional nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare, trajnerët e njohur kosovarë nuk kanë hezituar dhe hapur e kanë kritikuar punën e përzgjedhësit Albert Bunjaki, duke thekuar se ai nuk e meriton ta drejtojë Kosovën. Njëri nga trajnerët më të suksesshëm në Kosovë, Afrim Tovërlani, vazhdon t'i qëndrojë prapa deklaratës së tij të dhënë shumë më herët, se Bunjaki nuk është i denjë për atë detyrë."Kam thënë shumë më herët se Bunjaki nuk ka kapacitet ta udhëheqë Kosovën. Në atë kohë shumëkush mendoi se po flas për inat, por ja që po dëshmohet se ai nuk mund të jetë trajner i Kosovës", ka thënë Tovërlani, emri i të cilit ka nisur të lakohet si kandidat i mundshëm për ta marrë postin e përzgjedhësit. Megjithatë, vetë Tovërlani nuk është prononcuar për këtë. "Në këtë situatë ndoshta punë më shumë do të kishte kryer një trajner i huaj", ka thënë ditë më parë për gazetën tonë trajneri Afrim Tovërlani.

(Kosova Sot)