Pas ndëshkimit të rëndë, reagon Skënderbeu: Federata Shqiptare e Krimit…

  • 23 June 2017 - 19:50
Pas ndëshkimit të rëndë, reagon Skënderbeu: Federata Shqiptare e Krimit…

Klubi i Skënderbeut ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Etikës për t’i hequr titullin e sezonit 2015-2016. Korçarët kanë kërkuar nga ky komision arsyetimin e vendimit për ta çuar më pas çështjen në KAS duke qenë se e cilësojnë një dënim absurd pa asnjë provë të marrë nga Federata Shqiptare e Krimit në Sportin e Futbollit. Sipas reagimit të Skënderbeut, ky vendim i paprecedent është i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë.

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën me dije tifozërinë Korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).

Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i papreçedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të proçedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ siguron tifozërinë Korçare se ky cënim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanërisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo gërmë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme.

Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar denjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar!”

Reagimi i plotë i Skënderbeut

skenderbeu fb

(Kosova Sot)