Tovërlani: Me këto përforcime nuk rritet cilësia

  • 27 June 2017 - 09:44
Tovërlani: Me këto përforcime nuk rritet cilësia

Këtë vit pritet një afat kalimtar bukur interesant

Ardhja e disa trajnerëve të huajë në futbollin kosovar sikur ka hapur dyert edhe për futbollistët nga vendet e tjera që të bëhen pjesë e elitës së futbollit kosovar. Ajo që bie më shumë në sy gjatë këtij afati kalimtar, i cili zyrtarisht nis më 1 korrik, është se klubet kosovare sikur janë fokusuar në lojtarë nga Shqipëria. Ish-futbollisti i Skënderbeut të Korçës, Blendi Shkëmbi, i cili këtë vit do ta drejtojë Lirinë, nga bankina e trajnerit ka paralajmëruar disa prurje nga Shqipëria. Së fundmi interes për lojtarë nga kampionati shqiptar ka paraqitur edhe Prishtina. Mirëpo, çfarë ndryshimi mund të sjellin këto prurje të reja sa i përket ngritjes së cilësisë dhe atraktivitetit të kampionatit, njohësit e futbollit kosovarë japin pak shpresë. Njëri nga trajnerët më të trofeshëm në Kosovë, Afrim Tovërlani, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se çdo risi në kampionat është e mirëseardhur, por se do të ndikojnë në ndryshime të mëdha ai pak beson, kjo pasi lojtarët e mirë nuk pranojnë të vijnë këtu për ta lënë një kompeticion më të fortë. Njëjtë mendon edhe Shkëmbi, i cili e pranon se do të dëshironte t'i ketë tek Liria disa lojtarë të Skënderbeut, por në këtë situatë është vështirë t'i marrësh ata. 

Tovërlani: Të mirët nuk vijnë

Ish-trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, me të cilin u shpall kam-pion edicionin e një viti më parë, nuk beson se këta lojtarë që po përmenden si përforcime të mundshme në ekipet kosovare mund të ndryshojnë shumë për nga cilësia. Kjo pasi lojtarët cilësorë nuk pranojnë të kalojnë diku ku niveli është më i dobët sesa aty ku ai luan momentalisht. "Sigurisht që përforcimet nga Shqipëria janë të mirëseardhura dhe mund të ndikojnë në ngritje të lehtë shkaku i përvojës, pasi Liga e Shqipërisë është më e fortë se jona. Mirëpo, tash po del që atje ka shumë kurdisje dhe me këtë dëshmohet se jo rrallë lojtarët e kryejnë punën në fushë por rezultatet kryhen në kafene e diku tjetër", ka thënë Tovërlani për "Kosova Sot", duke shtuar se lojtarët e nivelit të lartë vështirë se mund të vijnë. "Një futbollist i mirë vështirë vjen në Kosovë, sepse në Shqipëri paguhet më mirë dhe kushtet janë më të mira. Pra, këtu mund të vijnë ata që nuk vlerësohen në rang të lartë në Shqipëri", ka thënë trajneri prishtinas, Afrim Tovërlani, për gazetën "Kosova Sot".

Një garë më joshëse

Gjithsesi edicioni i ri në Vala Superligën e Kosovës pritet të jetë më joshës, kjo edhe duke e parë interesimin e klubeve sivjet për t'u përforcuar. Dalja në Evropë e mbi të gjitha përfitimet e mëdha që vijnë nga atje, po bën që klubet tona të investojnë për t'i synuar ato gara. Dy skuadrat që sivjet do të luajnë në Ligën e Kampionëve dhe atë të Ligës së Evropës, Trepça'89 e Prishtina, veçse kanë bërë disa lëvizje, derisa me përforcime ka nisur edhe Drita, lëvize pozitive shihet edhe tek Gjilani, Llapi e Liria, por edhe klubet tjera po duket më aktive në këtë fillim. Kjo edhe bën të pritet një garë më rivalizuese sivjet. "Besoj që do të kemi një garë dhe kampionat më cilësor në edicionin e ri, sepse tashmë dëshira dhe interesi për kualifikim në garat evropiane do të shtohen. Shpresoj që mos të vije sindromi i kurdisjeve nga Shqipëria, sepse ajo më se paku na duhet", ka përfunduar Tovërlani. 

(Kosova Sot)