Sportistët pa shoqatë!

  • 27 June 2017 - 09:49
Sportistët pa shoqatë!

Shumë lojtarëve nuk u respektohet edhe kontratat

Sportistët kosovarë janë shumë pak të mbrojtur kur të shkelen të drejtat e tyre ose aspak. Edhe kur nuk respektohen kontratat, por edhe në shumë raste të tjera, ata nuk i mbron askush. Edhe pse është përmendur disa herë për të themeluar Shoqatën e Sportistëve për t'i mbrojtur të drejtat e tyre, deri më tani nuk është themeluar kjo shoqatë. Nëse do të ekzistonte një shoqatë të tillë, atëherë sigurisht se zëri i sportistëve do të dëgjohej shumë më shumë dhe do të mbroheshin të drejtat e tyre. 

Sportistët të jenë më aktivë

Në shumë raste edhe kontratat e sportistëve nuk respektohen, por përkundër kësaj të drejtat e tyre askush nuk i mbron. Një rast më i rëndë i kishte ndodhur futbollistit të Prishtinës, Liridon Leci, i cili ishte arrestuar gjatë ndeshjes me Besën dhe ishte mbajtur për 48 orë në polici. Kapiteni i Prishtinës dhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Armend Dallku kishte kërkuar që Shoqata e Sportistëve të themelohej menjëherë dhe një gjë e tillë është nevojë urgjente. Por, deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë, dhe nuk është themeluar Shoqata e Sportistëve. Edhe FC Prishtina ishte e indinjuar që lojtari i tyre u arrestua, por Leci u mbajt për dy ditë në paraburgim. Analisti i njohur dhe trajneri, i cili me dekada ka punuar në sportin kosovar, Naser Krasniqi ka thënë se sportistët duhet të interesohen më shumë për këtë çështje. "Për t'i mbrojtur të drejtat e sportistëve duhet që ata të interesohen vetë më shumë dhe të merren me shumë për këtë çështje. Ata vetë duhet të jenë më aktivë dhe të themelojnë Shoqatën që do t'i mbronte të drejtat e tyre", ka thënë Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Gjithashtu ka ndodhur edhe shumë raste, kur sportistët janë lënduar në fushë dhe shpenzimet është dashur t'i mbulojnë vetë. Raste të tjera ka ndodhur kur lojtarët nuk janë paguar me rregull, ose që i janë mbetur borxh, dhe lojtarët nuk kanë mundur t'i marrin paratë. 

Urgjentisht të themelohet një shoqatë e tillë

Trajneri i cili me dekada të tëra ka punuar në volejbollin kosovar ka theksuar se nevoja është shumë e madhe për të themeluar një Shoqatë të tillë. "Për problemet dhe për të drejtat elementare të sportistëve në Kosovë duhet që vetë sportistët të themelojnë një organizatë joqeveritare që do të merrej kryesisht me mbrojtjen e të drejtave të sportistëve. Ka nevojë shumë të madhe që kjo të bëhet sa më shpejt, sepse sportistët në Kosovë nuk kanë mbrojtje institucionale kur vjen puna për problemet eventuale që ju shfaqen gjatë karrierës së tyre në raport me klubet ose federatat", ka shtuar tutje Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Shoqata të tilla ka në vendet e zhvilluara dhe shpesh herë ka ndodhur që Shoqata të marr vendim për t'i mos i vazhduar garat pa i mbushur kërkesat e tyre. Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në NBA, kur kampionati ishte pezulluar derisa ishin përmbushur kërkesat e tyre. Raste të tilla kishin ndodhur edhe në kampionate të tjera elitare. 

(Kosova Sot)