Kili në finale të Kupës së Konfederatave (Video)

  • 28 June 2017 - 22:43
Kili në finale të Kupës së Konfederatave (Video)

Kili është kualifikuar në finale të Kupës së Konfederatave duke eliminuar Portugalinë pas ekzekutimit të penaltive.

Në dhjetë minutat e para ka mundur të shënoheshin dy gola – nga një për secilën skuadër, mirëpo intervenimet mbresëlënëse të Rui Patricios në njërën anë dhe Claudio Bravos në anën tjetër, bënë që rrjetat të mos prekeshin.

Loja e mirë vazhdoi deri në mbyllje të 45 minutave të para, mirëpo rrjetat heshtën dhe me rezultatin e fillimit të ndeshjes, skuadrat shkuan në pushim.

Arturo Vidal ishte i rrezikshëm në gjysmën e dytë me dy raste të mira, ndërsa Patricio u tregua serish vendimtar duke ndalur një goditje nga Eduardo Vargas.

Skuadra portugeze, nga ana tjetër, ndërtonte aksione në përpjekje për ta ndëshkuar kundërshtarin, mirëpo as ata nuk ia dilnin të shënonin.

CR7 dhe bashkëlojtarët e tij u përpoqën në minutat e fundit të kohës së rregullt që ta rrëmbenin fitoren, por nuk ia dolën dhe sfida shkoi në vazhdime.

Rastin më të mirë në pjesën e parë të vazhdimeve e pati Alexis Sanchez, por goditja e tij me kokë shkoi jashtë.

Kur po përfundonte edhe pjesa e dytë e vazhdimeve, Vidal goditi shtyllën, ndërsa topin e kthyer, Alexis nuk arriti ta dërgonte në rrjetë, pasi edhe ai e përplasi për shtylle.

Duke qenë se nuk pati gola, fituesi u vendos nga njëmbëdhjetëmetërshat. Dhe nga ekzekutimi i penaltive më të suksesshëm u treguan lojtarët e Kilit.

Kili në finale do të luajë kundër fituesit të duelit ndërmjet Gjermanisë dhe Meksikës.

 (Kosova Sot)