Prishtina në tokën suedeze, për të dëshmuar vlera shqiptare

  • 29 June 2017 - 09:20
Prishtina në tokën suedeze, për të dëshmuar vlera shqiptare

Ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në stadiumin "Adem Jashari" 

Prishtina ka zhvilluar dje në Suedi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Norrkoping-un, me të cilin do të ndeshet sonte nga ora 20:00 në kuadër të Ligës së Evropës. Bardhekaltrit ashtu siç e do rregulli janë trajnuar në fushën e skuadrës vendase aty ku edhe luhet ndeshja, në mënyrë që sadopak të njoftohen me ambientin. Lajmet e mira nga kampi bardhekaltër, vijnë se gjithçka ka shkuar në rregull, dhe se lojtarët nuk kanë shfaqur shqetësime sa u përket lëndimeve, duke bërë kështu që trajneri Arsim Thaqi në dispozicion të ketë gjithë lojtarët. Prishtina në tokën suedeze ka udhëtuar me synime për të treguar vlerat e futbollit shqiptar. Drejtuesit baradhekaltër para ndeshjes kanë thënë se në Suedi ata nuk do të luajnë vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Gjithsesi fati deshi që ata në sfidën e parë përballë të kenë një ekip shumë të fortë dhe me përvojë, por që kjo nuk po i tremb djelmoshat kryeqytetas, të cilët në radhët e veta kanë futbollistë me shumë përvojë, që më herët i kanë shikuar kompeticionet e tilla, si: Armend Dallku, Debatik Curri, Liridon Leci e Ahmed Januzi, të cilët edhe janë motiv për futbollistët e rinj.

Dallku: Kërkojmë rezultat pozitiv

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe skuadrës ukrainase Vorskla, Armend Dallku, i cili këtë vit po i prin Prishtinës si kapiten, ka thënë se skuadra ka punuar për rezultat pozitiv dhe këtë gjë do ta kërkojnë në Suedi. "Me kushtet që i kemi pasur në dispozicion, jemi munduar të përgatitemi maksimalisht. Kjo ndeshje është moment historik si për klubin, po ashtu edhe për futbollin kosovar. Është hera e parë dhe kemi kundërshtar mjaft të vështirë, por nëse ekziston dëshira dhe vullneti asgjë nuk është e paarritshme. Çdo ditë kemi biseduar që të jemi të përgatitur psikikisht për t'iu kundërvënë këtij kundërshtari shumë të papërshtatshëm dhe i vështirë, por ne do të japim maksimumin që nga ndeshja e parë të dalim me rezultat pozitiv", ka thënë Dallku, duke thënë se përkundër që për Prishtinën është hera e parë që luan në kompeticione të tilla, kjo skuadër në radhët e veta ka lojtarë që me herët i kanë provuar këto gara dhe kjo është një përparësi. "Ne kemi lojtarë që kanë luajtur në këso kompeticione çka e kemi përparësi, por kemi edhe lojtarë të rinj, që për ta është ambient ndryshe dhe jemi duke biseduar me ta që mos të kenë eufori, pasi gjithçka vendoset në fushë. Pra, e them që kemi kundërshtarë të fortë, por ia lëmë fushës që ajo të tregojë cilësitë dhe me 29 qershor të japim atomin e fundit që t'ia lëmë të vendosë kualifikimin ndeshja e dytë", përfundoi Dallku.

Curri: Forca jonë është grupi

Në anën tjetër, mesfushori kryesor i Prishtinës, Debatik Curri, ka thënë se skuadra e tij aspak nuk ndihet keq që vlerësohet inferiore ndaj Norrkoping-ut, madje kjo vetëm sa i motiv për të treguar vlera dhe për të dëshmuar se emri nuk është gjithç- ka. "Ne nuk e kemi ditur deri në momentin e fundit se kush do të marrë pjesë në Evropë dhe s'kemi qenë aq të përgatitur për atë aspekt. Por, përgatitjet e pastajme kanë shkuar shumë mirë, si në Gjakovë, po ashtu edhe në Kastriot, duke luajtur edhe disa miqësore. Unë besoj se jemi gati dhe pa dyshim se do të udhëtojmë për rezultat pozitiv, për çka neve na duhet të japim maksimumin që për ndeshjen e dytë të kemi për çka të luajmë dhe ta kemi përkrahjen e madhe të adhuruesve tanë. Unë besoj se asgjë nuk do të përfundojë në ndeshjen e parë, sepse i kemi të gjitha mundësitë, që me lojtarë me përvojë që kanë luajtur në Evropë dhe futbollistëve të rinj. Pra, e kemi një ekip të përzier të mirë që të luajmë futboll. Ne nuk kemi ekip të mirë sa Norrkoping, por jemi klub i madh dhe me nënvlerësimin, që besoj se do të na bëjnë ne duhet të shkojmë t'i suprimojmë", tha Curri."Ne duhet të paktën mos të pësojmë gol, duhet të marrim ndeshjen me qetësi, të disiplinuar dhe t'i përmbushim detyrat e dhëna nga trajneri", ka përfunduar Debatik Curri.

(Kosova Sot)