Buxheti i madh sjell suksese

  • 29 June 2017 - 09:28
Buxheti i madh sjell suksese

Fokusi te lojtarët vendorë dhe të huajt cilësorë 

Edicioni i kaluar në basketboll la shumë për të dëshiruar. Analistët kanë vlerësuar se ishte një edicion me shumë probleme e telashe, që kishte shumë rënie në krahasim me vitet e kaluara. Por, skuadrat kosovare të basketbollit nuk kishin sukses as në garat ndërkombëtare. Sigal Prishtina e Peja shënuan vetëm nga një fitore në FIBA Europe Cup në fazën e grupeve, kurse këto dy skuadra morën pjesë edhe në Ligën Ballkanike siç mori pjesë edhe Trepça e Bashkimi. Suksesin më të madh e arritën pejanët që u kualifikuan deri në gjysmëfinale të kësaj gare, kurse kujtojmë që prishtinasit kishin triumfuar në dy vitet e mëparshme, trasmeton gazeta Kosova Sot

Lojtarët e huaj të jenë cilësorë e të mos jenë numër

Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, ka thënë se skuadrat edicion e ri të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos bëjnë gabimet e edicionit të kaluar për garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë. "Skuadrat duhet të jetë më të vëmendshme për edicionin e ri. Duhet të kujdesen që t'i marrin pak lojtarë vendorë që janë në treg. Kjo është një garanci e 50 % të mos dështimit, kurse 50 % tjetër është seleksionimi i mirë i lojtarëve të huaj. Ata duhet të jenë basketbollistë cilësorë dhe të dëshmuar. Nuk është e thënë që ata të jenë në numër sa më të madh, por të jenë lojtarë cilësorë dhe që iu ndihmojnë skuadrave të tyre", ka thënë Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Në edicionin e kaluar, katër skuadra morën pjesë në Ligën Ballkanike. Spaqi thotë se kjo është shumë."Për Ligën Ballkanike do të kishte qenë mirë një ose dy skuadra të marr pjesë, e jo katër sepse nuk ka kuptim të marrin pjesë kaq shumë skuadra në një ligë. Gjithashtu edhe klubet kanë nevojë për buxhet ekstra. Ato duhet të kenë buxhet shumë më të madh për të pasur sukses. Në të kundërtën do të jetë kolaps i basketbollit tonë", ka shtuar Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot".

Financat, rol kyç në suksese

Edicionin e kaluar, Sigal Prishtina fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës në basketboll. Skuadra bardhekaltër në edicionin e ri do të garojë në Ligën e Kampionëve, që është hera e parë për të dhe skuadrat e basketbollit në Kosovë. Prishtinasit pritet të tërhiqen nga Liga Ballkanike. Spaqi nuk ka dyshime se kampionët e Kosovës do të jenë të suksesshëm në këtë garë. "Unë pres që Sigal Prishtina ta rikthej Dardan Berishën edhe te Prishtina bëhet seleksionimi i mirë. Për këtë nuk dyshoj. Prishtina nëse qëndron mirë financiarisht, atëherë kësaj radhe do të shkoj më larg", përfundoi Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Skuadra e Bashkimit për herë të parë mund të marrë pjesë në FIBA Europe Cup, por kjo ende nuk është konfirmuar. Tifozët e kësaj skuadre ditë më parë kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë. Sa i përket Pejës dhe Trepçës, që edicionin e kaluar u përballën me shumë probleme, asgjë nuk është e sigurt për pjesëmarrjen e tyre në garat evropiane, pasi nuk ka pasur ndonjë lëvizje deri më tani. Të gjitha skuadrat janë në pushim veror dhe përgatitjet do t'i fillojnë më vonë, kur do të qartësohet se cilat skuadra do të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

(Kosova Sot)