Ronaldo shpërtheu ndaj stolit të Barcelonës, mësohet çfarë iu tha (Video)

  • 14 August 2017 - 21:41
Ronaldo shpërtheu ndaj stolit të Barcelonës, mësohet çfarë iu tha (Video)

“Kështu fitoni ju, me 10 lojtarë”, i është drejtuar Ronaldo stolit të Barcelonë kur po dilte nga fusha.

Katër herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, është ndëshkuar me të kuq në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, të cilën Real Madridi e fitoi 3:1.

Ronaldo fillimisht u ndëshkua me të verdhë pasi zhveshi fanellën kur festoi golin e epërsisë.

Pas vetëm dy minutave, portugezi mori edhe një të verdhë, kësaj radhe për simulim, vendim ky që ka ngjallur shumë polemika.

Kur po largohej nga fusha, Ronaldo i nervozuar për atë që ndodhi, iu drejtua stolit të Barcelonës: “Kështu fitoni ju, me 10 lojtarë”, derisa një zyrtar i katalunasve iu përgjigj: “Natyrisht”.

Nuk është hera e parë që një lojtar i Realit ndëshkohet me të kuq në “El Clasico”. Në 13 ndeshjet e fundit, 11 herë Reali ka mbetur me një lojtar më pak në fushë.

Por, pavarësisht se Reali luajti me 10 lojtarë për më shumë se 10 minuta në “Camp Nou”, arriti të shënojë edhe një gol për të fituar në fund 3:1.

Ronaldo tani do të mungojë në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu”, si dhe në katër ndeshjet e para të La Ligas pasi është dënuar me pesë ndeshje nga Federata e Futbollit të Spanjës, e gjithë kjo për shkak të shtyrjes që i bëri gjyqtarit. 

(Kosova Sot)