Investimet sekrete

  • 16 August 2017 - 09:06
Investimet sekrete

Kampionati i sivjetmë mund të sjellë shumë risi

"Këtë vit kemi qenë më të kujdesshëm sa u përket shpenzimeve sesa në vitin e kaluar", ka deklaruar drejtori i skuadrës ë Feronikelit, Artan Berisha, pa dhënë një shifër të saktë të shpenzimeve që kanë bërë gjatë këtij afati kalimtar. Gjithsesi, Feronikeli, i cili edicionin e kaluar u dëshpërua maksimalisht kur nuk e siguroi një vend për garat evropiane, mbetet skuadra më e organizuar në vend, por që këtë herë shumë më e kufizuar sesa në të kaluarën. Kur kanë mbetur edhe shumë pak ditë deri në mbyllje të afatit kalimtar, sivjet shpenzimet e klubeve kosovare duken të jenë më të mëdha se çdoherë tjetër, por enigmë mbeten shifrat. Klubet hezitojnë të flasin me shifra. "Kompetencë për të folur për këtë temë ka vetëm presidenti i klubit", ka dhënë për gazetën "Kosova Sot" një burim i afërt me klubin e Prishtinës, skuadër kjo që sivjet nuk po kursen asgjë vetëm për ta kthyer Prishtinën aty ku po e duan tifozët e saj, në majat e futbollit tonë. 

Shpenzojnë shumë e nuk fitojnë asgjë

Jemi dëshmitarë që futbolli evropian tashmë është shndërruar në industri parash. Përfitimet atje janë marramendëse. Mjafton një menaxhim i mirë i klubit dhe një punë profesionale me futbollistë që arkat e klubit t'i mbushësh me miliona. Këtë më së miri mund ta dëshmojë skuadra shqiptare Skënderbeu i Korçës, i cili vazhdon të fitojë nga shitja e lojtarëve. Nëse vitin e kaluar fitoi shumë me Bernard Berishën, këtë herë shumë pritet të fitojë me Liridon Latifin. Por çfarë po fitojnë klubet kosovare dhe çfarë po shpenzojnë?. "Them të drejtën nuk mund të jemi aspak të kënaqur me përfitimet. Pra, nuk kemi bërë asnjë transfer që na ka sjellë të hyra, pasi shumica e lojtarëve kanë qenë në përfundim të kontratës", ka thënë Berisha për gazetën Kosova Sot", duke konfirmuar se sivjet kanë bërë më pak shpenzime. Mirëpo, derisa Feronikeli duket më dorëhekur, ato që e kanë hapur kuletën duket të jenë Liria, Drita e Prishtina, të cilat edhe kanë bërë bukur shumë shpenzime. "Pa dashur të hyj shumë në detaje, mund të them se sivjet 20-30 për qind janë rritur shpenzimet te Prishtina", kanë thënë burime pranë klubit bardhekaltër. Njëjtë është situata edhe te Drita, e cila ka bërë investime të jashtëzakonshme, derisa nuk ka përfituar pothuaj asgjë nga transferi i ndonjë lojtari.

Organizimi më i mirë

Gjithsesi, një dilemë tjetër mbetet organizimi dhe menaxhimi i skuadrave. Edicionin e kaluar u qua shumë pluhur kur erdhi koha e licencimit të klubeve për të marrë pjesë në garat evropiane. Shumë skuadra, duke e njohur punën e tyre, fare nuk aplikuan të licencohen, derisa disa të tjera u akuzuan për dallavere. Por, cila është situata e sivjetme? Gjërat këtë herë duken të jenë më të mira në këtë aspekt, ndoshta pikërisht pse u bë aq shumë zhurmë vjet dhe këtë herë duhet të jenë më të kujdesshëm. Te "Nikli", edhe pse sivjet po duket me i kufizuar për shkak të financave, thonë se në aspektin e organizimit do të jetë po ajo skuadra e moçme."Ne tashmë e kemi përfunduar këtë proces dhe nuk do të kemi telashe aspak. Pra, gjithmonë jemi në rregull me dokumentacionin dhe të tillë do të jemi edhe në të ardhmen. Mirëpo, besoj se edhe klubet tjera janë më mirë në këtë aspekt, pasi janë organizuar dhe kjo do ta bëjë një kampionat më të rregullt", përfundoi Artan Berisha. Të kujtojmë se Vala Superliga e Kosovës nis këtë fundjavë dhe se shikuar realisht punën që është bërë nëpër klube mund të besojmë për një garë joshëse dhe mjaft të luftuar. 

(Kosova Sot)