Çeferin: Ju punoni, ne ju ndihmojmë

  • 18 August 2017 - 09:24
Çeferin: Ju punoni, ne ju ndihmojmë

Infrastruktura, pengesa më e madhe për të ecur përpara

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, e ka dërguar një mesazh shumë të fortë në adresë të drejtuesve të futbollit të Kosovës. Numri një i futbollit evropian, slloveni Çeferin, dje e ka vizituar Kosovën derisa ka thënë se ky vend mund të përparojë shumë, por sigurisht që duhet punë. "Ju e keni një president shumë të mirë dhe një sekretar shumë të zoti. Ne do t'i mbështesim ata dhe futbollin e juaj vazhdimisht", ka thënë Çeferin, gjatë qëndrimit në Prishtinë. Ky është viti i dytë që Kosova aktivitetin e saj e zhvillon nën ombrellën e UEFA-s, derisa e veçanta e vizitës së numrit një të UEFA-s në Kosovë është se Kosova është vendi i parë që e viziton që pas emërimit në postin e presidentit te UEFA-s. Kjo tregon qartë për miqësinë e tij me Federatën e Futbollit, andaj vetëm duhet punë për të arritur te ndihma e FFK-së. "Çeferin është një mik i madh i yni. Ai kur ishte president i Federatës së Futbollit të Sllovenisë ishte ndër të parët që na i hapi dyert dhe na ofrojë mbështetje. Këtë mbështetje po e bën edhe tash kur është president i UEFA-s. Mua nuk me mbetet asgjë tjetër vetëm ta falënderojë nga zemra për këtë mbështetje që po na ofron ky mik i madh i vendit tonë", ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Investimet nuk do të mungojnë

UEFA njihet si një institucion shumë i fortë dhe me ndihmën e saj sot shumë vende posedojnë infrastrukturë modern. Kosova është një vend që vuan në këtë aspekt dhe pikërisht kjo është arsyeja që Çeferin ishte në Kosovë. "Nuk jam këtu vetëm pse tash jeni pjesë e UEFA-s, jam këtu sepse kam shumë miq", ka thënë fillimisht Çeferin, për të treguar më pas hapat e parë të ndihmesës. "Hapi i parë që duhet të ndërmarrim është infrastruktura, pasi vendi juaj nuk qëndron mirë në këtë aspekt dhe ne duhet ta ndihmojmë. Vokrri dhe Salihu e dinë shumë mirë çfarë duhet të bëjnë për të ardhur te mjetet. Pra, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në infrastrukturë", ka thënë presidenti i UEFA-s, duke shtuar se afate për këto gjëra nuk ka. "Ju bëhuni gati, ne ju ndihmojmë, pra nuk kemi pse të caktojmë afate. Ju njoftoj se aq sa para mund t'i afrojmë Sllovenisë do t'i afrojmë edhe Kosovës, pra mjetet janë, vetëm duhet punë", ka thënë numri një i UEFA-s."Kujtoj se në kohën e pranimit të Sllovenisë në UEFA pas luftës, ne si Federatë kishim vetëm një zyre, ndërsa ju keni një ndërtesë të tërë. Pra, kjo dëshmon se këtu po punohet dhe ne do t'ju mbështesim", ka thënë Çeferin. 

Vizitohet stadiumi i Prishtinës

Delegacioni i UEFA-s, gjatë vizitës në Kosovë, pati takime të ndryshme, ndërsa pa dyshim më e rëndësishmja është vizita në stadiumin e Prishtinës, aty ku po bëhen punimet për ta krijuar një objekt që do t'i plotësonte kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Presidenti Çeferin u nda i kënaqur me nivelin e punimeve, si dhe me cilësinë e ndërtimit. UEFA ka dhënë kontributin e saj me mbikëqyrjen dhe këshillat rreth ndërtimit. Stadiumi i Prishtinës pritet të bëhet gati në muajin tetor, por pretendimet e Federatës së Futbollit të Kosovës janë shumë më të mëdha se kaq. Synimi kryesor është arritja te mjetet për ndërtimin e Stadiumit Nacional, ku tashmë parcela është caktuar dhe po shpresohet se punimet do të nisin shpejt.

(Kosova Sot)