Rriten ambiciet, rritet dëshira për fitore

  • 18 August 2017 - 09:28
 Rriten ambiciet, rritet dëshira për fitore

Përfaqësueses së Kosovës i shtohen gjasat për kualifikim 

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka fatin në duar të saj. Tashmë nuk ka nevojë që të mund Estoninë me 26 pikë dallim, por vetëm duhet të shënojë fitore me çfarëdo rezultati dhe do të kualifikohet tutje. Takimi ndërmjet Kosovës dhe Estonisë, që është i fundit në këto parakualifikime është vendimtar për Kosovën, derisa estonezët e kanë siguruar kualifikimin më herët. Nëse Estonia shënon fitore, atëherë do të kualifikohet Maqedonia, sepse ka bilanc më të mirë në përballje me Kosovën. Këto ndeshje po zhvillohen në kuadër të parakualifikimeve evropiane të Kampionatit Botëror "Kina 2019"

Kërkohet përkrahja e shikuesve

Dy humbjet e fundit nga Estonia dhe Maqedonia kishin zbehur edhe atmosferën në ekipin e Kosovës, por Përfaqësuesja po bëhet gati për sfidën vendimtare. "Përfaqësuesja jonë e ka shansin që të shtunën në përballje me Estoninë në Prishtinë të regjistroj fitore, me ç'rast do të kualifikohej tutje. Tani mbetet që të shtunën Përfaqësuesja jonë me lojën e saj dhe me përkrahjen e tifozëve të flaktë, ashtu si në ndeshjen e parë kundër Maqedonisë në Prishtinë të tregoj forcën e saj të vërtetë dhe kështu të kualifikohet tutje. Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar me përgatitjet intensive për takimin e së shtunës dhe basketbollistët të udhëhequr nga kapiteni Dardan Berisha janë më të motivuar se kurrë që në fundjavë me përkrahjen e lojtarit të gjashtë të arrijnë deri te fitorja, e cila do ta kualifikoj Kosovën për herë të parë në histori në një garë të tillë", thuhet në mesazhin e FBKsë para kësaj ndeshje vendimtare. Kosovën takimin si vendas e fitoi me Maqedoninë në Prishtinë.

Fanella e Kosovës të mbrohet me krenari

Edhe analisti i basketbollit dhe ishlojtari i njohur, Artan Mehmeti ka thënë se ambiciet janë rritur dhe fanella e Kosovës duhet mbrojtur me krenari. "Mendoj se vetë fitorja e Estonisë me Maqedoninë ka bërë që atmosfera të ngritët. Si të rriten ambiciet dhe pritjet, atëherë edhe atmosfera në ekip rritet vetvetiu. Nëse nuk ka pasur atmosferë të mirë dhe pakënaqësi, atëherë ajo qysh sot (e enjte) në mëngjes është tejkaluar. Duhet kuptuar se mbrojtja e fanellës së Kosovës është krenari, e jo të promovohen teket dhe kënaqësitë personale. Tashmë Kosova ka në duar fatin e saj për t'u kualifikuar në xhiron tjetër", ka thënë Artan Mehmeti për gazetën "Kosova Sot". Pas sfidës me Maqedoninë u suspendua Drilon Hajrizi. Ai u suspendua me kërkesë të trajnerit të Kosovës. Për Përfaqësuesen e Kosovës sfida ndaj Estonisë është e katërta dhe njëherësh e fundit. Kosova e nisi mirë kampanjën kualifikuese duke mundur Maqedoninë me katër pikë dallim, por më pas erdhën humbjet nga Estonia dhe Maqedonia me 26, respektivisht 13 pikë dallim. Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në kualifikime të tilla dhe nëse arrin të kualifikohet tutje do të ishte historike.

(Kosova Sot)