Pritshmëritë janë të mëdha

  • 19 August 2017 - 09:42
 Pritshmëritë janë të mëdha

Java e parë karakterizohet me një superndeshje, Prishtina - Drita

S i kurrë më parë ky kampionat i cili nisi dje me ndeshjen Trepça'89 - Flamurtari dhe vazhdon me sfidat që zhvillohen këtë vikend, po pritet më kërshëri të madhe. Pritshmëritë, janë të jashtëzakonshme dhe vet fakti që shumë klube që në start kanë hapur kandidaturën për titull e bën këtë kampionat të duket joshës dhe me rivalitet. Megjithatë, disa probleme vazhdojnë të mbesin të njëjta. Është infrastruktura që lë shumë për të dëshiruar, cilësia jo e kënaqshme dhe organizimi gjithashtu jo i mirë i klubeve që po na bëjnë të dyshojmë se edhe sivjet nuk do të jemi atje ku duam të jemi. Në anën tjetër edhe gjyqtarët nuk janë gjithaq në nivelin e kërkuar. Kryetari i gjyqtarëve të futbollit të Kosovës, Përparim Hasani për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se punën e kanë bërë siç duhet tash u mbetet të tregojnë atë në fushë. "Po shpresoj shumë që fillimi të jetë i mirë. Nëse kemi një start të mirë, atëherë gjërat menaxhohen më lehtë në vazhdim. Pra, është shumë më rendësi që qysh në xhiron e parë të kemi një performancë të mirë të gjyqtarëve në fushë", ka thënë Përparim Hasani, i cili duhet pranuar që është duke e bërë një punë të madh në këtë drejtim dhe ndikimi i tij tek gjyqtarët po bën që ata të jenë bukur të kujdesshëm në fushë

Përballje interesante të shtunën

Dita e sotme është e rezervuar për dy ndeshje mjaft interesante. Llapi që njihet si një skuadër që po e pretendon kreun e tabelës në fushën e vet e pret Drenicën, skuadër kjo që sivjet ka bërë disa ndryshime dhe ka paralajmëruar që këtë edicion do të jetë arrë e fortë për çdo rival. Gjithmonë, ballafaqimet ndërmjet Llapit e Drenicës kanë sjellë rivalitet gjë e cila pritet të ndodhë edhe këtë herë. Pa dyshim angazhimi nuk do të mungojë pasi është shumë më rendësi për çdo skuadër që starti të jetë i suksesshëm. Një sfidë joshëse është edhe ajo ndërmjet Feronikelut dhe anëtarit të ri të Superligës, Vllaznisë së Pozhoranit. Ish-kampioni i Kosovës, këtë vit nuk ka bërë shumë lëvizje të bujshme, në anën tjetër Vllaznia është ekip shumë i përforcuar dhe mbetet të shihet sesi do të reagojë karshi Feronikelit ekip ky që edhe sivjet po e pretendon titullin e kampionit.

Derbi që në start

Fati deshi që ky kampionat të nis me një superndeshje, ku do të ballafaqohen dy skuadrat më të përforcuara gjatë këtij afati kalimtar, Prishtina - Drita. Gjithmonë ballafaqimet e këtyre dy skuadrave kanë ngjallë kureshtje tek adhuruesit e futbollit, kjo jo vetëm për nivelin e lojës në fushë, por edhe për shkak të atmosferës që krijojnë tifozët e të dyja skuadrave. "Plisat" dhe "Intelektualët", kanë paralajmëruar atmosferë të zjarrtë në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas aty ku Prishtina si vendase do t'i luajë në ndeshjet. Në anën tjetër edhe lojtarët e të dyja taborëve kanë paralajmëruar se do të luftojnë vetëm për fitore. Dy sfidat tjera të ditës së diel janë: Vëllaznimi - Liria dhe Gjilani - Besa. Skuadra gjakovare pas një kohe rikthehet në elitën e futbollit ku po beson se do ta rikthej namin e dikurshëm. Megjithatë, duhet pranuar se financat te gjakovarët nuk janë aq stabile dhe kjo mund të sjellë kokëçarje. Në anën tjetër Liria si një skuadër shumë mirë e organizuar sivjet do të tentojë me çdo kusht që kampionatin ta nisë me fitore. Ndeshja e fundit është ajo ndërmjet Gjilanit e Besës. Gjilani është favorit shumë i madh dhe do të tentojë që brenda një jave t'ia shkaktojë një humbje turpëruese Besës, ashtu siç ja shkaktoi Trepça'89 në kuadër të Superkupës kur e mposhti me rezultat 5:0.

(Kosova Sot)