Presin fitore dhe festë

  • 19 August 2017 - 09:54
Presin fitore dhe festë

Ndeshja më e rëndësishme për Kosovën deri më tash 

Ndeshja e fundit në grupe dhe vendimtare për Kosovën. Përballja ndaj Estonisë do të përcaktojë nëse Përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet tutje apo do të eliminohet. Në takimin e parë ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve, estonezët shënuan fitore me 26 pikë dallim, por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse Kosovës i mjafton fitorja me çfarëdo rezultati për t'u kualifikuar tutje, në rast të kundërt do të kualifikohej Maqedonia, që është më e mirë se Kosova në përballjet direkte. Këto takime po zhvillohen në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror "Kina 2019". Takimi ndërmjet Kosovës dhe Estonisë zhvillohet të shtunën nga ora 20:15 në Prishtinë. 

Premtojnë maksimumin

Kosova e nisi mirë kampanjën kualifikuese duke mundur Maqedoninë, por më pas erdhën humbjet nga Estonia dhe Maqedonia. Në përballjen e fundit me maqedonasit, qendra Fisnik Rugova ishte basketbollisti më i mirë për Kosovën në parket. Ai ka vthënë se përballja me estonezët është më e rëndësishmja deri më tani. "Kjo është ndeshja më e rëndë- sishme për Kosovën deri më tani dhe do të luftojmë deri në fund për fitore. Pres fitore dhe të festojmë bashkë me tifozët tanë. Do të jetë e vështirë, sepse Estonia është lidere e grupit, por kemi analizuar pikat e dobëta të tyre dhe do të kemi mundësi të fitojmë", ka deklaruar Fisnik Rugova për gazetën "Kosova Sot". Estonia do të jetë shumë e relaksuar për këtë përballje, pasi më herët ka siguruar kualifikimin, duke shënuar tri fitore në tri përballjet e zhvilluara. Një fitore kishte ndaj Kosovës dhe dy ndaj Maqedonisë. Shpresa e Kosovës është që të renditet si e dyta dhe të kualifikohet për xhiron e ardhshme. Kjo është hera e parë që Kosova është pjesë e këtyre garave dhe nëse kalohet në xhiron e ardhshme do të ishte historike.

Mbrojtje të fortë dhe mbështetje nga tifozët

Rugova pret përkrahje të madhe nga shikuesit, derisa thotë se lojtarët do të japin maksimumin në fushë. "I gjithë ekipi është gati që të japë maksimumin në fushë. Të gjithë e dinë rëndësinë e lojës dhe nuk duhet t'i bëjmë gabimet si në ndeshjen e parë në Estoni. Kemi përparësinë e fushës dhe të tifozëve. Duhet të luajmë me mbrojtje të fortë, sepse mbrojtja mendoj se është çelësi i fitores ndaj estonezëve. Nuk do të kemi aspak lehtë, sepse Estonia luan lojë ekipore, dhe është e saktë në gjuajtjet për tri pikë. Besoj se tifozët do të na japin ndihmë të madhe dhe me ndihmën e tyre të shënojmë fitore. Presim fitore dhe që të kualifikohemi në xhiron e ardhshme", ka shtuar tutje Fisnik Rugova për gazetën "Kosova Sot". Për këtë ndeshje basketbollistët janë mobilizuar maksimalisht për të shënuar fitore dhe për t'u kualifikuar në xhiron e ardhshme. Ky është rasti jetik për të shkruar historinë për Përfaqësuesen e Kosovës.

(Kosova Sot)