Kosova historike

  • 21 August 2017 - 08:40
Kosova historike

Përfaqësuesja e Kosovës ka shkruar historinë në basketboll. Basketbollistët e Kosovës shënuan fitore në ndeshjen vendimtare ndaj Estonisë me rezultat 75:69, dhe u kualifikuan tutje, derisa maqedonasit mbetën në shtëpi. Takimet e Grupit C ishin të vlefshme për parakualifkimet evropiane të Botërorit "Kina 2019". Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këto gara dhe hera e parë që Kosova do të jetë pjesë e kualifikimeve zyrtare për Botërorin e Kinës. Ky konsiderohet si një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm për basketbollin, por edhe sportin kosovar.

Fitorja më e rëndësishme

Në një ndeshje shumë dramatike, Kosova shënoi fitore para tifozëve në Prishtinë. Takimi ishte mjaft i barabartë, derisa mysafirët në pushim shkuan me epërsi prej 38:35. Pavarësisht se Estonia kishte siguruar më herët kualifikimin nuk lëshonte pe dhe luftonte për çdo top. Por, në periudhën e tretë, shkëlqeu Dardan Berisha me dhjetë pikë në këtë pjesë, duke rikthyer Kosovën në lojë, dhe nga kjo u motivuan edhe basketbollistët tjerë. Vendimtar në fund ishte edhe Erjon Kastrati dhe kështu Kosova shënoi fitore 75:69 për t'u kualifikuar në xhiron tjetër. Dardan Berisha ishte më i miri në parket me 28 pikë, gjashtë asistime dhe katër kërcime, kurse Erjon Kastrati kontribuoi me 13 pikë. Berisha ishte shumë i lumtur për fitoren. "Kjo është një fitore historike dhe shumë e rëndësishme, jo vetëm për basketbollin, por edhe shtetin tonë. Jam shumë i emocionuar për këtë fitore dhe duhet të shijojmë këtë momente. Dua të falënderoj të gjithë, sidomos tifozët që ishin të pranishëm në palestër", theksoi kapiteni Berisha pas ndeshjes. Edhe trajneri amerikan, Brad Greenberg u shpreh se ishte ndeshje e vështirë. "Ishte ndeshje e vështirë, por kur në ekip ke Dardan Berishën, si një luftëtar i vërtetë dhe Erjon Kastratin, por edhe lojtarët tjerë, atëherë gjithç- ka është më e lehtë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme dhe ishte shumë e lehtë t'i motivosh lojtarët në këso atmosfere. Kishte shumë ulje e ngritje në lojë, por në fund ne fituam", theksoi amerikani. Erjoni ishte një hero i vërtetë, duke shënuar treshen vendimtare pranë rezultatit 69:69. "Jam njeriu më i lumtur në botë. Këtë që e përjetova ishte ëndërr për mua", tha Kastrati pas ndeshjes. Menjëherë pas kësaj fitore historike të Kosovës, ka ardhur edhe urimi nga faqja zyrtare e 'FIBA Basketball World Cup'. "Mirësevini në #FIBAWC 2019, kualifikuesit evropian, Kosovë".

Rivalët në kualifikuese

Tashmë Kosova ndodhet në mesin e 32 kombëtareve të tjera që janë pjesë e kësaj gare madhështore. Përfaqësuesja e Kosovës duhet të presë shortin e së mërkurës që do të mbahet në Munih të Gjermanisë për të mësuar grupin dhe emrat e kundërshtarëve të ardhshëm. Në bazë të kritereve të FIBA-së Bullgaria, Estonia, Holanda, Suedia do të jenë në grupet B, D, F dhe H, ndërsa Kosova, Austria, Bosnja dhe Bjellorusia do të vendosen në katër grupet e tjera. FIBA qysh më parë ka vendosur që përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Serbisë, mos të luajnë në grup të njëjtë dhe kjo do të thotë se Kosova nuk do jetë e vendosur në grupin G. Shorti për këto tetë përfaqësuese të kualifikuara do të hedhet më 24 gusht në Munih. Kosova mund të jetë në Grupin A me Malin e Zi, Slloveninë dhe Spanjën, ose në atë C me Poloninë, Lituaninë e Hungarisë, ose në E me Belgjikën, Francën dhe Rusinë.

(Kosova Sot)