Fillim premtues

  • 22 August 2017 - 08:56
Fillim premtues

Starti i edicionit të ri të Vala Superligës së Kosovës në futboll ka dhënë sinjale se sivjet mund ta kemi një garë shumë interesante dhe të paqartë deri në fund. Qysh në takimet e para është parë një rivalitet i madh, gjë e cila na bën të besojmë se dëshira për të ardhur te sukseset është shumë e madhe. Gjithsesi, nëse klubet tona e mbajnë këtë ritëm, atëherë pa fije dyshimi ky do të jetë një kampionat për mbamendje. Mirëpo, duke e pasuar parasysh se klubet tona jo rrallë qysh në dështimin e parë demoralizohen dhe heqin dorë nga objektivat, atëherë kjo edhe mund ta rrezikojë vazhdimin e suksesshëm të kampionatit. Ajo që ra në sy në sfidat e para ishin përforcimet e shumta që kishin bërë klubet. Pothuaj çdo skuadër ka hyrë me gati 50-60 për qind me risi të cilat sikur kanë lënë gjurmë qysh në ndeshjet e para. Skuadra që mund të mburrët në start që ka bërë lëvizje adekuate është Drita që e mposhti Prishtinën e shumëpërforcuar. Mirëpo, duke e parë përvojën që kanë bardhekaltrit nuk besohet se kjo do të ndikojë diçka në taborin e tyre dhe Prishtina qysh në ndeshjet e radhës do ta thotë fjalën e vet. Mirëpo, si u duk java e parë në sytë e vetë aktorëve të kësaj loje- futbollistëve, këtë më së miri e tregon futbollisti me përvojë, Taulant Dajaku, i cili në një bisedë për gazetën "Kosova Sot" i bëri një analizë javës së parë të elitës së futbollit.

Serioziteti në rritje

 "Duket një fillim premtues", ka thënë në fillim të bisedës për gazetën "Kosova Sot", futbollisti kuqezi i Drenicës, Taulant Dajaku. Ai vlerëson se klubet po duken më serioze, pasi kanë bërë edhe investime bukur të mëdha dhe kjo është pozitive për fillim. "Ekipet në ndeshjet e para kanë luajtur me kujdes, duke vlerësuar maksimalisht çdo pikë që nga fillimi", ka thënë Dajaku për "Kosova Sot", duke shtuar se edhe organizimi është më i mirë, derisa shqetësimi më i madh mbetet infrastruktura, ku nëse në gjitha pikat ka pasur lëvizje pozitive, infrastruktura mbetet e njëjtë, pasi nuk është investuar shumë. "Këtë vit duket të kemi një organizim më cilësor. Unë po shpresoj shumë se edhe shikueshmëria të jetë më e madhe, e cila do t'i jepte një dinamizëm edhe më të madhe garës", ka thënë për "Kosova Sot", njëri nga mesfushorët më të mirë në futbollin tonë, Taulant Dajaku.

Dallimet evidente

Sipas ish- futbollistit të Prishtinës, tash i Drenicës, Taulant Dajaku, i cili që në start pësoi humbje me ekipin e tij ndaj Llapit, ka thënë se dallim i kampionatit të sivjetmë ndaj atyre të kaluarit është i madh, kjo pasi investime kemi më shumë dhe prurjet nga jashtë janë më cilë- sore. "Dallimet më të mëdha vërehen në atë pjesën ku ekipet kanë bërë investime më të mëdha në futbollistë. Kemi disa prurje shumë interesante, ku me lojtarë që kanë ardhur nga liga të forta dhe që i japin atraktivitet garës. Unë po shpresoj shumë se këto prurje t'i japin intensitet garës dhe ta bëjnë më atraktive atë edhe për tifozë", ka përfunduar Taulant Dajaku. Padyshim, ardhja e Anel Rashkajt e Mentor Mazrekajt te Prishtina, pastaj Astrit Fazliu te Drita si dhe disa lojtarëve nga Shqipëria te Liria, kanë bërë që dëshira për ta parë kampionatin e sivjetmë të jetë më e madhe

(Kosova Sot)