Sukses i jashtëzakonshëm

  • 22 August 2017 - 08:58
Sukses i jashtëzakonshëm

Kosova i ka bërë krenarë të gjithë. Përfaqësuesja e basketbollit mundi Estoninë për të qenë pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Botëror "Kina 2019", dhe ky konsiderohet si një sukses i madh. Analistët kanë vlerësuar se ky është një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm për basketbollin, por edhe për sportin kosovar, sepse ka lënë prapa, një Kombëtare të fortë si Maqedonia. Kështu Kosova për herë të parë do të jetë pjesë e kualifikimeve për Botëror. Përparimi që ka bërë Kosova gjithashtu është vlerësuar lart, sepse në kualifikimet për Kampionatin Evropian, nuk arriti asnjë fitore në gjashtë takime të zhvilluara.

Kosova la prapa Maqedoninë

Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi ka thënë se ky kualifikim i Kosovës është i jashtëzakonshëm. "Mendoj se nuk ka përfaqësim më të suksesshëm se kjo që kanë bërë djelmoshat e Kosovës në krye me Dardanin (Berishën). Do të shohim se në cilin grup do të jetë Kosova. Ky është një sukses i madh i Kosovës, sepse kemi lënë prapa kombëtare tjera si Maqedonia. Unë e konsideroj sukses hyrjen në kualifikime për Botëror, prandaj çfarë- do rezultati që arrijnë më tutje është sukses. Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse e kualifikimeve për Botëror, andaj është sukses i madh që kemi arritur deri në këtë fazë", deklaroi Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Kosova në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror "Kina 2019", shënoi dy fitore në shtëpi ndaj Maqedonisë dhe Estonisë, derisa u mposht si mysafire nga këto dy Përfaqësuese. Estonia u kualifikua e para, kurse Kosova e dyta, ndërsa Maqedonia mbeti në shtëpi. Mediet e kësaj të fundit kanë kritikuar shumë Përfaqësuesen e tyre, duke u shprehur se basketbolli në këtë vend është afër 'fundit', pasi nuk mund të besonin se Kosova u kualifikua para Maqedonisë.

Epokë e re për basketbollin e Kosovës

Por, tashmë fillon një epokë e re për Kosovën, pasi do të përballet me Kombëtare shumë të forta, si Spanja, Lituania apo Franca, që kanë ekipe shumë më cilësore dhe kanë më shumë përvojë në garat ndërkombëtare, duke qenë kampionë evropian e botëror. Spaqi thotë se tani do të shihet forca e Kosovës kur të përballet me ekipe shumë më cilësore. "Realisht, tani do të shohim forcën tonë kur do të përballemi me Kombëtare më të mëdha, sepse është hera e parë që marrim pjesë në kualifikimet për Botëror. Unë mendoj se do të na kishte konvenuar që të jemi në grupin C, edhe pse të gjitha Kombëtaret janë shumë të mira", nënvizoi Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Në Grupin C, bëjnë pjesë Polonia, Lituania e Hungaria. Kosova gjithashtu mund të jetë pjesë e Grupit A, ku do të ndeshej me Malin e Zi, Spanjën dhe Slloveninë ose në Grupin E përballë Belgjikës, Francës dhe Rusisë. Nga të gjithë rivalët Kosova është ndeshur vetëm me Slloveninë, ku ka pësuar në dy takimet e mëhershme të zhvilluar. Kosovës në kualifikimet e fundit i kanë ndihmuar shumë edhe Lis Shoshi i ardhur nga Amerika, si dhe Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati, të cilët më herë kanë luajtur për Slloveninë. Për të tre lojtarët ishte hera e parë që e veshin fanellën e Kosovës.

(Kosova Sot)