Dinamo e Zagrebit e plotë para Skënderbeut, rikthehet “vrasësi” i korçarëve

  • 22 August 2017 - 13:27
Dinamo e Zagrebit e plotë para Skënderbeut, rikthehet “vrasësi” i korçarëve

Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvitanoviç, ka arsye për të qenë optimist para ndeshjes së kthimit me Skënderbeun. Pas fitores 2-0 në kampionat ndaj Slaven Belupo, ku shënuan dy lojtarë që ishin në tribunë ndaj korçarëve, Foliç dhe Rrahmani, të enjten trajneri do të ketë të gatshëm edhe dy lojtarë të rëndësishëm.

Dinamo do të jetë më e përforcuar në ndeshjen e kthimit, pasi sulmuesi Hilal Sudani dhe Domagoj Antoliç janë të gatshëm për trajnerin Cvitanoviç. Sulmuesi algjerian, që i ka shënuar tre gola Skënderbeut para dy vitesh, për arsye dëmtimi mungoi në përballjen e parë të Ligës së Europës.

Misioni i korçarëve do të jetë më i vështirë për të enjten, pasi Dinamo ka të gatshëm “vrasësin” e Skënderbeut të para dy viteve, algjerianin Sudani. Kroatët pritet të jenë të freskët, pasi shumë titullarë u lanë pushim të dielën në ndeshjen e kampionatit.

(Kosova Sot)