Ka apo nuk ka talente FUTBOLLI KOSOVAR?

  • 23 September 2017 - 10:18
Ka apo nuk ka talente FUTBOLLI KOSOVAR?

KLUBET KOSOVARE SHPENZOJNË SHUMË E FITOJNË PAK

Talentet nuk mungojnë, por është puna ajo që po mungon

"Në Kosovë gjithmonë ka pasur talente, por këtu mungon puna. Pra, nëse këta të rinj punojnë më me seriozitet mund të arrijnë shumë. Ajo që më së shumti mua po me brengos është profesionalizmi, tamam t'i bëjnë dy lojë të mira e rritin mendjen dhe e vlerësojnë vetën si yll, gjë e cila ndikon në karrierën e tyre", ka thënë Fetim Kasapi

Vazhdimisht trajnerët kosovarë janë mburrur se në Kosovë po nxjerrin talente, që shumë lehtë mund të luajnë edhe në kampionate jashtëzakonisht të forta. Mirëpo, ndryshe mendojnë analistët. Ata e pranojnë se në Kosovë ka talente por vazhdojnë të theksojnë se niveli i futbollit tonë është nën atë të dëshiruar, dhe se vendet përreth nesh janë shumë përpara dhe na duhet kohë për t'i arritur ato. Afakalimtar i verës në Kosovë u cilësua si tejet i pasur, mirëpo, jo për nga shitja, por vetëm për nga blerja. Më shumë se 90 lëvizje u bënë gjatë afatit kalimtar të këtij edicioni, por asnjë nuk u largua jashtë në kampionate të njohura evropiane. Kjo sigurisht për shkak të nivelin shumë të ulët gjë, e cila po i tremb menaxherët e huaj. Dalja në arenën ndërkombëtare ishte një shpresë e madhe për futbollistët tanë të rinj, të cilëve iu hapën mundësin për ta treguar vetën, por dëshpërimi i madh i Trepçës'89 dhe Prishtinës, që e prezantuan futbollin tonë në Ligën e Kampionëve, përkatësisht në Ligën e Evropës, sikur dëshpëroi edhe menaxherët e huaj.

Kasapi: Nuk mungojnë talentet, por puna

Njëri nga futbollistët më me përvojë në futbollin kosovar, Fetim Kasapi, i cili në karrierën e tij pati fatin të luajë edhe në Kampionatin e Shqipërisë dhe atij të Malit të Zi, në një bisedë për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se niveli i futbollit tonë karshi Shqipërisë është shumë larg derisa me Malin e Zi nuk jemi aq larg, por ai e pranon se këtu profesionalizmi po mungon. "Në Kosovë gjithmonë ka pasur talente, të tillë ka edhe sot, por këtu mungon puna. Pra nëse këta të rinj punojnë më me seriozitet mund të arrijnë shumë. Ajo që më së shumti mua po me brengos është profesionalizmi, tamam t'i bëjnë dy lojë të mira sikur e rritin mendjen dhe e vlerësojnë vetën si yll, gjë e cila po ndikon pastaj në punën e tij", ka thënë Kasapi, duke folur më pas për nivelin në përgjithësi të futbollit. "Jemi ende larg. Kushtet për punë nuk mund të krahasohen me ato që afron Shqipëria, e cila ka përparuar shumë. Ne për të arritur atje na duhet shumë investime dhe profesionalizëm", ka thënë mesfushori pejan për gazetën "Kosova Sot".

Potencial i madh

Se vërtet këtu diçka nuk po shkon si duhet, dëshmon skuadra e Besës. Pejanët njihen për ekipin e mirë, që kanë pasur, ajo vazhdimisht ka nxjerrë lojtarë të mirë dhe të talentuar. Është Fatos Beçiraj e Bernard Berisha që nga futbolli pejanët janë zbuluar dhe sot luajnë në kampionatin rus, por ja që viteve të fundit Besa ka rënë shumë dhe kjo për shkak të krizës së madhe. "Është shumë e vërtet që në kohën tonë kemi nxjerrë shumë talente pasi kemi punuar shumë. Edhe sot Besa ka lojtarë të mirë por duhet më shumë punë. Unë do ta veçoja Leonard Balaj, i cili është një lojtar me shumë potencial dhe skuadra mund të llogarisë në të", ka thënë Kasapi për gazetën "Kosova Sot", i cili megjithatë e pranon se është skeptik që futbolli ynë mund të transferojë ndonjë talent në ndonjë kampionat të fortë, ku edhe do të përfitonte shumë financiarisht.

(Kosova Sot)