Në Gjilan nuk ka festë, Llapi vazhdon t'i prijë valles

  • 25 September 2017 - 09:47
Në Gjilan nuk ka festë, Llapi vazhdon t'i prijë valles

Edicioni i sivjetmë i Vala Superligës së Kosovës në futboll po vazhdon të sjellë rezultate interesante dhe shpesh të papritura. Pa dyshim befasia më e mirë vazhdon të mbetet Llapi, që po e kryeson renditjen dhe me hapa të sigurt po shkon drejt objektivave që ka. Në anën tjetër derbi i kësaj jave, ndërmjet Gjilanit e Prishtinës, nuk ka sjellë festë, pasi ndeshja është mbyllur pa fitues madje, me rezultatin më të padëshiruar, 0:0. Edhe pse atmosfera në tribuna ishe e mirë, futbollistët në fushë nuk arritën t'i gëzojnë tifozët, pasi për 90 minuta nuk e gjetën golin. Kjo javë, përveç lojërave të mira, ka vazhduar edhe me shkarkime të trajnerëve. Këtë herë fatin e keq e kishte Agron Selmani i Flamurtarit, i cili pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Drenicës në Skenderaj dha dorëheqje nga posti i trajnerit. Kampioni aktual, Trepça'89, duket se e ka lënë anash krizën që kishte në ndeshjet e fundit, pas fitores që shënoi ndaj Feronikelit në Drenas, derisa befasi këtë herë bëri Besa, e cila në Pejë e mposhti Lirinë, skuadër kjo që është besuar që së paku do të importojë një pikë nga Peja.

Josa nuk shkëlqen

Prishtina ndeshjen ndaj Gjilanit e priti me shumë entuziazëm, kjo pasi skuadrës i printe njëri nga strategët më të mëdhenj të futbollit shqiptar, Mirel Josa. Ai mori drejtimin e Prishtinës pas shkarkimit të Astrit Thaqit, por ja që shkëlqimi i tij mungoi, pasi Prishtina në këtë sfidë nuk tregoi lojë gjithaq të mirë, gjë e cila bëri që për 90 minuta rrjetet të mbesin të paprekura. Gjithsesi, duhet pranuar se në disa raste Gjilani ishte më afër fitores. Kjo pikë e fituar e bardhekaltërve duhet pranuar që ka shumë vlerë, pasi u arrit në një fushë të vështirë, por edhe ndaj një rivalit të drejtpërdrejtë në luftë për titullin e kampionit. Në takimin tjetër të zhvilluar në stadiumin "Bajram Aliu" në Skenderaj, Drenica ka shënuar fitore me rezultat bindës në kuadër të javës së 6-të ndaj Flamurtarit me rezultat 4:1. Serinë e golave për Drenicën e hapi Taulant Dajaku, në minutën e 10- të, derisa më pas dy gola në fund të pjesës së parë i shënoi Genc Hamiti (43', 45'). Epërsinë në 4:0 e shtoi Hysen Tahiri, nga gjuajtja e lirë, derisa golin e vetëm për prishtinasit e shënoi kapiteni i drenicasve, Sami Geci, i cili realizoi atogol. Një fitore të madhe para tifozëve të vet ka shënuar edhe Besa, e cila e ka mposhtur Lirinë në stadiumin "Shahin Haxhiislami", me rezultat 2:0. Golat për pejanët i shënuan Arbër Hoxhaj, në minutën e 22-të, dhe Liridon Balaj, në minutën e 59- të.

Llapi i pakompromis

Skuadra e Llapit ka vazhduar me rezultate të mira. Llapjanët këtë javë para tifozëve të vet kanë shënuar fitore duke e mposhtur Vëllaznimin në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë, me rezultat 2:0. Mirlind Daku e kaloi Llapin në epërsi qysh në minutën e 13-të, kur shfrytëzoi reagimin e dobët të portierit Altik Muhaxhiri. Ndërkohë, fitoren e llapjanëve e vulosi Hamdi Namani, me golin e shënuar në minutën e 55-të. Për Llapin kjo ishte fitorja e katërt në këtë edicion dhe në këtë mënyrë e ka përforcuar pozitën e parë, me 14 pikë. Në takimin e fundit të kësaj jave, të zhvilluar në Gjilan, ndërmjet Vllaznisë e Dritës, fitores i janë gëzuar futbollistët e Dritës, që triumfuan bindshëm me rezultat 4:0.

(Kosova Sot)