Simeone: Messi, më i miri i botës

  • 13 October 2017 - 15:03
Simeone: Messi, më i miri i botës
 

Sipas trajnerit të Atletico Madridit, Diego Simeone, sulmuesi Lionel Messi gjatë të martës mbrëma në ndeshjen e Argjentinës ndaj Ekuadorit tregoi se është më i miri në botë.

Diego Simeone dhe Atletico Madridi përballen me Messin dhe Barcelonën të shtunën mbrëma, duke shpresuar që të fitojnë ndeshjen e parë në La Liga kundër Blaugranave nga 13 të zhvilluara sa është trajner.

Megjithatë, sipas Simeones, do të jetë e vështirë pasi Barça ka më të mirin e botës, Messin dhe ky e tregoi në ndeshjen e kombëtares ndaj Ekuadorit.

“Messi ishte ajo që të gjithë argjentinasit dëshironin dhe kërkuan”, ka thënë fillimisht Simeone për konferencën e tij për shtyp para ndeshjes.

“Unë pashë gjithë ndeshjen dhe ai iu përgjigj atyre kritikëve që nuk besonin në të, ai dëshmoi se ai është më i miri në botë”.

“Aspekti politik i kësaj loje? Nuk do të diskutoj mbi çështje që janë më politike sesa sportive, kam mendimet e mia, por do t’i mbaj ato në vete, ndërsa përsëris që jam vetëm një trajner”.

“Gjatësia e barit? Nuk jam kopshtar, jam një trajner dhe shkoj në fushë për të përgatitur ekipin, asgjë tjetër”, përfundoi trajneri argjentinas.

Ndryshe, Atletico dhe Barcelona do të luajnë nga ora 20:45 në ndeshjen që zhvillohet në Wanda Metropolitano. 

(Kosova Sot)