Sportet në krizë!

  • 17 October 2017 - 09:36
Sportet në krizë!

Pakkush ka besuar se sportet si basketbolli, hendbolli e volejbolli do të ndodheshin në krizë, siç janë tani. Në vitet e fundit ka pësuar rënie, derisa këtë edicion problemet kanë dalë në sipërfaqe dhe basketbolli, hendbolli e volejbolli janë në krizë. Tashmë numri i tifozëve është shumë më i vogël se nga edicionet e mëparshme, ka më pak interesim dhe rivalitet, kurse më parë ishte vështirë të gjendej edhe një biletë e lirë, sidomos në basketboll, ku palestrat ishin të stërmbushura. Kriza financiare ka kapluar shumë sporte, ku e kanë vështirë jo vetëm të garojnë, por edhe të mbijetojnë.

Shpenzimet marramendëse

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi ka thënë basketbolli i Kosovës është në krizë të thellë. "Kanë qenë llogaritë dhe strategjia e gabuar, që kanë bërë që basketbolli i Kosovës të vijë në këtë gjendje. Situata është shumë e rëndë dhe mund të thuhet se është niveli më i dobët i basketbollit që nga pas lufta. Janë shpenzuar shuma marramendëse për të marrë pjesë në Liga Ndërkombëtare, ku nuk kemi përfituar asgjë. Gjithashtu janë shpenzuar shuma marramendëse për lojtarët e huaj, të cilët nuk kanë qenë të cilësisë më të mirë dhe është investuar pak në basketbollistë vendorë. Dikur ka qenë sporti numër një në Kosovë basketbolli, derisa tani është para kolapsit. Dikur kemi pasur dy derbi në çdo xhiro, kurse sot nuk kemi asnjë derbi gjatë kampionatit. Në klube duhet të vijnë njerëz që e duan basketbollin, që kanë qenë lojtarë ose sportistë dhe të nisin gjithçka nga zero, ndryshe do të jetë shumë e vështirë", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Super përforcimet e Sigal Prishtinës ka bërë që skuadrat e tjera të mbesin më prapa dhe të mos mundin të rivalizojnë kampionët e Kosovës.

Nuk funksionon as ligji

Edhe hendbolli në vitet e fundit ka pasur rënie në cilësi dhe shikueshmëri, kurse skuadra pejane, Besa nuk ka nuk pasur konkurrencë. Trajneri shumëvjeçar i hendbollit, Ismet Jupa ka thënë se mungesa e Ligjit të Sportit ka ndikuar shumë që hendbolli të ndodhet në krizë. "Ligji për Sport nuk po funksionon dhe si pasojë e kësaj klubet ndodhen në krizë, derisa askush nuk kujdeset për sportistët në Kosovë. Pa u mbrojtur me ligj, klubet janë nën mëshirën e fatit. Besoj se sikur të funksiononte ligji do të ishte shumë më ndryshe. Investitorët nuk po investojnë, pasi nuk kanë përfitime, derisa mungon edhe përkrahja institucionale. Të gjithë duhet të bëjnë më shumë që hendbolli të rikthehet në vitet e mëparshme, pasi ka traditë dhe shumë lojtarë të talentuar, por mungojnë investimet", ka theksuar Ismet Jupa për gazetën "Kosova Sot". Ndërkohë, trajneri i njohur i volejbollit, Naser Krasniqi ka thënë se problemet kryesore në këtë sport janë infrastruktura dhe problemet financiare. "Këto janë dy problemet kryesore në volejboll. Shumica e palestrave nuk i plotësojnë kushtet dhe janë të ngarkuara. Ka shumë termine dhe klubet funksionojnë me shumë vështirësi. Gjithashtu edhe problemet financiare kanë ndikuar dukshëm në vitet e fundit që të ketë rënie në cilësi. Sikur të kishte më shumë investime sigurisht se do të ishte gjendja shumë më e mirë në këtë sport", theksoi Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)