S'ka suksese NË EVROPË

  • 19 October 2017 - 09:36
S'ka suksese NË EVROPË

SKUADRAT E KOSOVËS NUK PO KANË SHUMË SUKSESE NË ARENËN EVROPIANE

Mungojnë investimet në sport

Në edicionet e fundit të garave është vërejtur rënie e cilësisë në basketboll, hendboll dhe volejboll. Kjo ka bërë që klubet të përballen me shumë probleme, derisa ka ndikuar edhe në paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare. Në edicionin e kaluar mungoi suksesi në garat ndërkombëtare, si në basketboll, hendboll, volejboll, por edhe në futboll

Në edicionin e kaluar munguan sukseset e skuadrave kosovare në garat ndërkombëtare. Paraqitja e tyre nuk ishte në nivelin e dëshiruar, derisa analistët kanë theksuar se kjo është si pasojë e rënies së cilësisë në garat vendore. Gjithashtu në vitet e fundit kanë munguar edhe investimet në sport. Në futboll, basketboll, hendboll dhe volejboll sukseset nuk ishin të kënaqshme. Problemet e klubeve po barten edhe në garat ndërkombëtare.

S'ka investime, s'ka suksese 

Ish-hendbollisti i njohur kosovar, Alban Dobroshi, ka thënë se natyrisht që rënia e cilësisë në garat vendore, ndikon edhe në paraqitjet në garat ndërkombëtare, derisa shton se duhet të investohet më shumë në gjenerata të reja."Normalisht që mos investimi në kuadrot e reja ndikon mjaft shumë në rënien e cilësisë së klubeve dhe përfaqësueseve. Nëse e krahasojmë sa është dhënë për basketboll pas luftës, të ishte investuar në kuadrot e reja dhe marrjen e trajnerëve të huaj që t'i mësojnë këto kategori, do të kishim përparuar shumë në basketboll. E kundërta është në hendboll, sepse në hendboll nuk është investuar shumë në trajnerë profesionalë dhe të Përfaqësueses për të garuar nëpër kualifikime qoftë evropiane dhe botërore", është shprehur Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Këtë edicion kampionia dhe fituesja e Kupës në hendboll, Besa Famgas te meshkujt është eliminuar qysh në xhiron e parë të garave evropiane, kurse skuadrat tjera do të kenë më vonë ndeshjet ndërkombëtare. Në basketboll, Sigal Prishtina u eliminua në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve, derisa garon edhe në grupet e FIBA Europe Cup, kurse Bashkimi do të luajë në Ligën Ballkanike. Edicionin e kaluar Prishtina nuk kishte suksese në garat ndërkombëtare, kurse është fituese dy herë e Ligës Ballkanike. Prishtina, Peja, Bashkimi e Trepça u paraqitën në garat ndërkombëtare edicionin e kaluar, por nuk kishin shumë suksese.

Me paga të vogla nuk mund të ketë suksese

Dobroshi thekson se situata edhe në volejboll është e ngjashme sikur në hendboll dhe nuk mund të pritet shumë kur një lojtar paguhet 150 euro. "Situata është e njëjtë edhe në volejboll, ku nuk ka investime nëpër klube. Çka mund të presësh nga një lojtar në hendboll paguhet 200 euro, në volejboll 150 ose në basketboll 400. Këto paga janë shumë të vogla. Duhet të kemi një plan më afatgjatë, në të kundërtën do të jetë e kot. Duhet të kemi një plan së paku për katër vjet, dhe më pas të presim suksese në garat ndërkombëtare. Pastaj mund të kërkojmë kualifikimin me skuadra dhe Përfaqësuese. Të gjithë kemi dëshirë të kemi rezultate, por sa kemi mundësi, kjo është një çështje tjetër", ka theksuar tutje Alban Dobroshi për gazetën "Kosova Sot". Edhe trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi është shprehur se në këso kushte që veprojnë klubet dhe sportistët është e paarsyeshme të kërkohet suksese në garat ndërkombëtare. Sipas Krasniqit pa u përmirësuar kushtet në Kosovë nuk mund të kërkohet suksese në garat ndërkombëtare.

(Kosova Sot)