Shpresat për TË ARDHMEN

  • 21 October 2017 - 09:59
Shpresat për TË ARDHMEN

PËRFAQËSUESET NË VOLEJBOLL JAPIN SHPRESA PËR SUKSESE

Femrat premtojnë më shumë se meshkujt

Përfaqësueset e Kosovës në volejboll në të dyja konkurrencat nuk kanë arritur suksese të mëdha, megjithatë premtojnë shumë për të ardhmen. Grupmoshat e reja kanë treguar se dinë të luajnë volejboll, kanë zemër dhe motiv, por ashtu si edhe në sportet të tjera, janë prapa kombëtareve evropiane

Sukseset në sportet kolektive kanë munguar në garat ndërkombëtare. Kështu ndodhi edhe në volejboll, ku Përfaqësueset në dy konkurrencat në garat kualifikuese nuk arritën asnjë fitore. Kosova debutoi në garat ndërkombëtare në volejboll, dhe rezultatet ishin të pritshme, megjithatë grupmoshat e reja, kanë treguar paraqitje të mira, dhe në një të ardhme të afërt nëse punohet më shumë, mund të arrijnë suksese në garat ndërkombëtare.

Në vendin e dytë në Ballkan 

Trajneri i volejbollit dhe menaxher në Përfaqësuese, Naser Krasniqi thotë se duhet pranuar se jemi më prapa se shumë kombëtare të tjera. "Për këtë vit ne si federatë nuk jemi paraqitur në garat të tjera ndërkombëtare, por kemi plan ta bëjmë në të ardhmen. Këtë vit kemi pasur aktivitete të ngjeshura në garat ndërkombëtare, sa i përket ekipeve kombëtare. Kemi marrë pjesë në garat ballkanike me grupmosha U19 në Bosnjë, pastaj me U-18 në Prishtinë, ku kemi arritur vendin e dytë pas Turqisë, duke lënë mbrapa shumë vende të tjera si Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kemi marrë pjesë edhe me meshkujt në garat ballkanike U-20, që u mbajtën në Prishtinë. Pra, kanë qenë disa gara mjaft me rëndësi, dhe për këtë vit nuk do të ketë më aktivitete me ekipet kombëtare, dhe po mendojmë për vitin e ardhshëm", është shprehur Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Sukseset në arenën ndërkombëtare nuk kanë qenë të mëdha, derisa edhe garat vendore në Kosovë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, ku shumë klube përballen me probleme financiare, derisa para nisjes së kampionatit, kishte pakënaqësi edhe në Federatën e Volejbollit të Kosovës, ku shtatë nga nëntë anëtarët e Bordit kanë dhënë dorëheqje, derisa 'mjegulla' në FVK po vazhdon

Më prapa shteteve të tjera

Krasniqi ka shtuar tutje se femrat premtojmë më shumë se meshkujt. Kjo është dëshmuar edhe me rezultate. "Tani na mbetet të shikojmë për orarin e garave për vitin e ardhshëm dhe të përcaktojmë se në cilat gara do të marrim pjesë. Sa u përket rezultateve me ekipet kombëtare, mendoj se duhet të jemi realë se jemi pak mbrapa nga shtetet e tjera, por kemi shpresa se me vajza, që janë diçka më mirë djemtë, mund të arrijmë suksese në garat ndërkombëtare dhe se ka perspektivë shpresëdhënëse për të ardhmen", është shprehur tutje Naser Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Përveç me ekipet Kombëtare, në volejboll kanë munguar sukseset e mëdha me ekipe, kjo për shkak të problemeve të shumta me të cilat përballen klubet e volejbollit. Këtë edicion, kampioni i Kosovës në volejboll te meshkujt, Luboteni, ka debutuar me humbje në Ligën e Kampionëve. Ekipi ferizajas u mposht 3:0 në sete (25:16, 25:19 dhe 25:13) nga Abiant Groningen i Holandës. Ndeshja i ka takuar raundit të dytë të Ligës së Kampionëve. Takimi i kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Holandë. Por, edhe skuadrat tjera nuk kanë pasur shumë sukses në garat ndërkombëtare, duke shfaqur më shumë problemet e brendshme me të cilat përballen në përditshmëri.

(Kosova Sot)