Hallaci: Ndaj Legias do të japim maksimumin

  • 28 July 2015 - 22:23
Hallaci: Ndaj Legias do të japim maksimumin

E pamundura nuk ekziston për Kukësin. Kapiteni i verilindorëve Rrahman Hallaci beson se Kukësi mund të përsërisë suksesin e 2 viteve më parë duke u kualifikuar edhe ndaj Legias në turin e tretë për të siguruar pjesëmarrjen në play-offin e Europa League. Edhe pse e cilësoi kundërshtarin një ekip shumë të fortë mbrojtësi 31-vjecar u shpreh optimist mbi shanset që kanë verilindorët për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e parë, që do ti ndihmonte për të kaluar turin.

” Ata janë një ekip që kanë investuar shumë, por një gjë të tillë e kemi bërë edhe ne. Është e vërtetë që Legia ka një emër të madh në arenën europiane, gjithsesi ne do të japim maksimumin dhe mendoj se kemi shanset tona përsa i përket kualifikimit. E rëndësishme do të jetë të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Qemal Stafa”.

Në ndryshim nga dy raundet paraardhëse ndaj Legias, Kukësi nuk niset si favorit. Sipas Hallacit ky fakt mund ti ndihmojë shumë verilindorët dhe ndoshta Kukësi kundër Legias mund të dhurojë të njëjtën paraqitje si ndaj ukrainasve të Metalurg Donetsk dy sezone më parë.

” Shpresoj që ata të na nënvlersojnë disi dhe nëse kjo gjë ndodh ndoshta ne mund ti surprizojmë sic bëmë me Metalurgun e Donetskut, dy sezone  më parë”.

Largimi i sulmuesit kroat Pero Pejic është një minus i madh për Kukësin në dy sfidat ndaj Legias. Dicka të tillë e pranoi edhe Hallaci por kapiteni theksoi gjithashtu se Kukësi nuk varet vetëm nga një lojtar.

” Ajo e Pero Pejic është një mungesë e madhe për ne. Është e vështirë të zëvendësosh një lojtar si ai, por Kukësi nuk varet nga vetëm një futbollist dhe mendoj se mund tia dalim edhe pa të. Trajneri i ka marë mirë masat për ta zëvendësuar”.

I pyetur se si u ndje në momentin që në stadiumin e Podgoricës në sfidën e kthimit ndaj Mladost tifozët malazezë filluan koret raciste “Vritini shqiptarët” duke rikthyer në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve skenat e turpshme të Beogradit, Rrahman Hallaci u përgjigj kështu.

” Ne nuk e kuptonim gjuhën e tyre dhe vetëm në fund të pjesës së parë e kuptuam se cfarë kishte ndodhur. Gjithsesi unë di të them që koreve raciste të tyre ne iu përgjigjëm me gola”.