​Ndodh edhe kjo: Ventura refuzon të jap dorëheqje

  • 14 November 2017 - 19:08
​Ndodh edhe kjo: Ventura refuzon të jap dorëheqje

Trajneri italian, Gian Piero Ventura insiston se nuk do të jap dorëheqje, pavarësisht se nuk arriti të dërgonte Italinë në Kupën e Botës, për herë të parë kjo që nga viti 1958

Një ditë pas mungesës së bujshme të Italisë në Botërorin “Rusi 2018”, pas atij barazimi 0-0 në takimin e dytë të “play off”-it me Suedinë, tensionet rreth trajnerit Gian Piero Venturës nuk janë sheshuar aspak.

Gazetari i emisionit “Le Iene”, Nicolo De Devitiis ka shkuar për një intervistë te trajneri i kombëtares italiane. Pyetjes nëse “do të japë dorëheqjen apo jo”, dhe asaj nëse “ua premton italianëve”, Ventura iu përgjigjet me një “po” të thatë.

Megjithatë, edhe pse pamjet filmike tregojnë pikërisht këtë gjë, në një kundërdeklaratë për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, Ventura përmes një mesazhi të shkurtër thekson se “nuk e ka thënë kurrë këtë gjë”.

Ekipi drejtues i emisionit “le Iene” ka shpërndarë klipin e regjistrimit, ku duket hapur dhe pa doreza përgjigjja e Venturës për dorëheqje, edhe pse një gjë të tillë e ka mohuar për mediet e tjera.

Që prej orëve të para pas mesnatës së “ferrit” të djeshëm, Ventura ishte shprehur se nuk do ta jepte dorëheqjen, pasi për këtë do t’i duhej më parë të bisedonte me presidentin e Federatës italiane të Futbollit (FIGC).

(Kosova Sot)