Champions, ja rivalët e mundshëm të Skënderbeut në “play-off”

  • 29 July 2015 - 18:22
Champions, ja rivalët e mundshëm të Skënderbeut në “play-off”

Bazel, Salzburg, Viktoria Plzen, Steaua, APOEL janë rivalët më të mundshëm të Skënderbeut nëse kalojnë Milsamin, kjo është përllogaritja që vjen sipas formatit të UEFA-s. Skënderbeu thuajse është në “play-off” të Champions League pas fitores me Milsami (Moldavi) në transfertë 2-0 në turin e tretë eliminator. “Oreksi vjen duke ngrënë”, – u shpreh kapiteni Shkëmbi pas përfundimit të ndeshjes së parë, që lë të nënkuptohet se do të tentohet me patjetër edhe përfaqësimi në grupet e Champions, pasi nëse kalohet turi i tretë, Skënderbeut është automatikisht në grupet e Europa League, si asnjë skuadër tjetër e Shqipërisë në kompeticionet madhore të UEFA-s.

Po me cilën skuadër mund të përballet Skënderbeu në “play-off”? Formati i UEFA-s ka ndryshuar nga viti në vit dhe këtë herë ka një ndryshim. Kampionët e Shqipërisë mund të përballen vetëm me një kampion të një shteti tjetër. Kështu që bien poshtë ekipe gjigante si Fenerbahçe, Shakhtar Donetsk, Ajax, CSKA Moskë, Sparta Pragë, Panathinaikos, Club Brugge, Young Boys, Monaco, ekipe që janë në këtë tur të tretë, por edhe skuadrat që i shtohen “play-off”-it nga kampionatet prestigjoze europiane, që kanë zënë vendet e dyta, të treta, apo të katërta, si Manchester United, Valencia, Leverkusen, Lazio dhe Sporting Lisbonë, transmeton Telesport.al.

Duke bërë kalkulimet e mundshme, Skënderbeu do të ndeshet me fituesin e njërit prej 9 çifteve. Por nuk do të jetë short i lirë. Skuadrat që kanë koeficient më të lartë, sipas renditjes së UEFA-s, do të jenë në një vazo, gjithsej 5 ekipe, ndërsa Skënderbeu së bashku me 4 ekipet e tjerë do të jenë në vazon tjetër, që i bie që korçarët vështirë të peshkojnë rival të lehtë. Shanset për t’u përballur me Partizanin e Beogradit janë fare minimale, sepse së pari, serbët duhet të kalojnë Steaua të Bukureshtit, së dyti, kanë koeficient të vogël.

Po të shohim rezultatet e ndeshjeve të para të turit eliminator (dje), por edhe koeficientët e ekipeve sipas UEFA-s, Skënderbeu mund të përballet me ekipe si Bazel, Salzburg, Viktoria Plzen, Steaua Bukuresht, APOEL. Vetëm me ndonjë eliminim të këtyre skuadrave nga turi i tretë, me një propabilitet shumë të vogël, kampionët e Shqipërisë mund të “peshkojnë” BATE Borisov. Me APOEL dhe BATE, Skënderbeu është ndeshur, madje me këtë të fundit vetëm shansi i keq e ka eliminuar nga Champions League. Pra, kalimi i “play-off”-it duket gati i pamundur, por futbolli prandaj është i bukur, ka edhe surpriza, fundja korçarët kanë të drejtë të ëndërrojnë.

Grupi i çifteve nga do të dalin skuadrat që do të hidhet shorti i “play-off”, ku bën pjesë edhe Skënderbeu:
Lech Poznan (Poloni) – Bazel (Zvicër)
Helsinki (Finlandë) – Astana (Kazakistan)
Celtic (Skoci) – Qarabag (Azerbajxhan)
Steaua (Rumani) – Partizan Beograd (Serbi)
Midytlland (Danimarkë) – APOEL (Qipro)
Maccabi Tel Aviv (Izrael) – Viktoria Plzen (Çeki)
Dinamo Zagreb (Kroaci) – Molde (Norvegji)
Videoton (Hungari) – BATE Borisov (Bjellorusi)
Salzburg (Austri) – Malmo (Suedi)
Milsami (Moldavi) – SKËNDERBEU (SHQIPËRI)

Renditja e ekipeve që do të hidhen në short të ndara në dy vazo në “play-off”
1. Basel 84.875 pikë
2. Salzburg 43.150
3. Viktoria Plzen 41.825
4. Steaua 40.259
5. APOEL 35.460
6. BATE 35.150
7. Celtic 39.080
8. Dinamo Zagreb 24.700
9. Maccabi Tel Aviv 18.200
10. Lech Poznan 17.300
11. Partizan Beograd 14.775
12. Malmo 12.545
13. Qarabag 11.500
14. HJK Helsinki 11.140
15. Molde 10.375
16. Midytlljand 7.960
17. Videoton 7.950
18. SKËNDERBEU 5.575
19. Astana 3.825