FSHF, deklaratë për ndeshjen Shqipëri – Serbi

  • 29 July 2015 - 21:40
FSHF, deklaratë për ndeshjen Shqipëri – Serbi

FSHF ka dalë me një deklaratë para sfidës kundër Serbisë.

Në lidhje me organizimin e ndeshjes eliminatore të Kampionatit Evropian Francë 2016, që do të luhet në Shqipëri, FSHF informon përmes faqes së saj zyrtare se UEFA kërkon siguri të plotë dhe gjykon se ky takim nuk mund të zhvillohet në një stadium, ku luhet për herë të parë.

Stadiumi “Elbasan Arena”, ka dhënë prova të suksesshme në aspektin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të ndeshjeve. Sipas UEFA-s, stadium i ri duhet testuar fillimisht në një miqësore të nivelit të lartë dhe pastaj mund të vazhdojë normalisht ndeshjet zyrtare ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit e mirëkupton shqetësimin legjitim të UEFA-s, duke pasur parasysh specifikën e këtij takimi dhe shkallën e lartë emocionale të krijuar rreth saj për shkaqe që dihen.

Për këtë arsye, ajo vendosi që takimin Shqipëri – Serbi, ta organizojë në “Elbasan Arena”. Ndërkohë në muajin nëntor, FSHF, do të sigurojë një miqësore të nivelit të lartë në Shkodër.