Rrezikon Prishtina

  • 19 November 2017 - 07:57
Rrezikon Prishtina

Sigal Prishtina i filloi në mënyrë perfekte garat në FIBA Europe Cup, duke shënuar tri fitore me radhë. Por, më pas erdhën dy humbje, kurse me fitoren e fundit të Demirit në Belgjikë, komplikohen shumë punët për skuadrën prishtinase. Bardhekaltrit në përballjen e ardhshme duhet të fitojnë me 28 pikë dallim ndaj Demirit, ose Belfius të humbë nga Khimik.

S ituata në grupin e Sigal Prishtinës është komplikuar edhe më shumë, pas triumfit të Demirit në Belgjikë ndaj Belfius. Bardhekaltrit lëshuan dy herë rastin të kualifikohen në rrethin tjetër të grupeve në FIBA Europe Cup, sepse pas tri fitoreve radhazi, pësuan nga Demir dhe Belfius. Përballja e ardhshme e Prishtinës do të jetë ndaj skuadrës turke Demir më 6 dhjetor në kryeqytet, ku do të vendoset përfundimisht se kush do të kualifikohet tutje. Opsioni i parë është fitorja me 28 pikë dallim kundër Demirit, ose i dyti fitore me çfarëdo rezultati dhe Belfius të mundet nga Khimik, por Khimik në pesë ndeshje i ka të gjitha humbje, dhe vështirë se mund të befasojë skuadrën belge në ndeshjen e fundit.

Tashmë edhe më vështirë

Tashmë kualifikimi është bërë shumë i vështirë, dhe këtë e pranon edhe basketbollisti i kësaj skuadre, Granit Rugova. "Tashmë gjasat tona që të kualifikohemi tutje janë zvogëluar. Por, gjithashtu nuk kemi pasur edhe shumë fat. Në tri takimet e para kemi arritur të fitojmë, por në takimin e fundit nuk kemi pasur shumë fat. Tashmë do të jetë shumë më e vështirë, pasi duhet të fitojmë me 28 pikë dallim, ose që Belfius të mos fitojë ndaj Khimik. Sidoqoftë, ne do të përqendrohemi në lojën tonë dhe do të bëjmë më të mirën, siç kemi bërë deri më tani. Kemi pasur rezultate të mira në fillim dhe gjithçka ka funksionuar në mënyrë perfekte. Fitorja e Demirit në Belgjikë na ka vështirësuar kualifikimin, por kjo nuk do të thotë se do të eliminohemi. Do të përgatitemi maksimalisht për këtë sfidë, që është vendimtare dhe do të mundohemi të fitojmë e të kualifikohemi në rrethin tjetër për herë të parë", ka thënë Granit Rugova për gazetën "Kosova Sot". Bardhekaltrit në takimin e parë fituan ndaj Belfius në Belgjikë me rezultat 74:72, kurse në takimet e radhës mundën Khimik 76:65 dhe 78:59, por më pas erdhën dy humbjet 86:59 nga Demir në Turqi dhe 69:75 nga Belfius në kryeqytet.

Angazhim të madh në përballjen vendimtare

Kjo është viti i tretë radhazi që Sigal Prishtina në FIBA Europe Cup, dhe në herën tretë është më afër kualifikimit. Në edicionin e parë kishin dy fitore në grupe, në edicionin e dytë vetëm një fitore, kurse në edicionin e tretë ka tri fitore. Kualifikimi në fazën tjetër do të ishte shumë i rëndë- sishëm. "Ne do të japim maksimumin që të kualifikohemi tutje. Është shumë me rëndësi jo vetëm për ne, por edhe për basketbollin e Kosovës. Megjithatë, humbja në shtëpi ndaj Belfius dhe triumfi i Demirit në Belgjikë, na ka vështirësuar shumë punët. Angazhimi ynë nuk ka munguar në asnjë ndeshje dhe kështu do të jetë edhe në takimin e fundit, ku besoj se do të kemi edhe përkrahjen e shikuesve. Do të mundohemi të bëjmë lojën tonë, dhe pse jo të tentojmë që të kualifikohemi në rrethin e ardhshëm. Do të ishte historike kjo", theksoi Granit Rugova për gazetën "Kosova Sot". Prishtina po kërkon suksese në garat ndërkombëtare, pasi në ato vendore nuk po ka konkurrencë. Në dhjetë ndeshje të zhvilluara në IP Superligë, ka dhjetë fitore, madje të gjitha me rezultate bindëse.

(Kosova Sot)