Kampionat interesant, por cilësia po mungon

  • 24 November 2017 - 09:16
Kampionat interesant, por cilësia po mungon

Të gjithë po e cilësojnë si një kampionat tejet interesant, madje ka të atillë që e vlerë- sojnë si më të mirin e pasluftës. Megjithatë, analistët nuk po shohin ngritje të cilësisë. Kjo edhe është shqetësuese pasi në fund të këtij kampionati sikur edicionin e kaluar dy klube do ta përfaqësojnë futbollin e Kosovës në garat Evropiane si Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës dhe nëse na përfaqësojnë sikur edicionin e kaluar kur pothuajse u turpëruam, do të ishte një tjetër "shuplakë" e keqe për imazhin e futbollit të Kosovës. Ish-futbollisti i njohur kosovar, Emin Baliqi, e pranon se gara si garë këtë vit është shumë joshëse, por nëse flasim për cilësi atëherë me keqardhje thotë se ajo mbetet në nivelet e njëjta dhe se për të ndryshuar atë medoemos duhen risi nga jashtë.

Pa prurje nuk ka cilësi

Sipas ish-futbollistit të Prishtinës, Emin Baliqi, arsyeja pse ky kampionat po duket interesant është se klubet janë të të njëjtit nivel dhe nuk po dallojnë nga njëra-tjetra, e jo pse kemi ngritje të cilësisë. Ai ka thënë se është i njëjti brumë që ishte viteve të kaluara dhe se lojtarët pavarësisht lëvizjeve të shumta, janë të njëjtin, vetëm se po sillen nga një klub në tjetrin. "Është e vërtetë që ky kampionat është joshës, dhe për mendimin tim kjo po ndodh pasi cilësia e klubeve është pothuajse e njëjtë dhe kjo po e bën kampionatin të duket interesant. Nuk ka ekipe apo lojtarë që bëjnë dallimin. Unë mendoj se pa prurje të reja nuk mund të kemi ngritje të cilësisë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Emin Baliqi sipas të cilit prurjet e reja janë të domosdoshme. "Këta lojtarë që po i shohim tash, i kemi parë edhe shumë vite me parë, pra janë të njëjtit dhe vetëm po sillën nga një klub në tjetrin. Kjo nuk ka si ta ngritë cilësinë. Edicionin e kaluar e kishim Trepçën'89 që dallonte nga tjerat, këtë vit është pothuajse krejt njëjtë", ka thënë për "Kosova Sot" ish-futbollisti mitrovicas, Emin Baliqi.

Në Evropë nuk shkohet kështu

Prishtina dhe Trepça'89 edicionin e kaluar patën fatin ta prezantojnë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare dhe përveç shpërblimeve të majme që morën nga FIFA, asgjë të mirë nuk i sollën futbollit tonë, pasi dështuan totalisht dhe kjo ndikoi që UEFA edhe këtë vit të vendosë që vetëm dy klube ta përfaqësojnë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare. "Nëse nuk do të ketë prurje cilësore nga jashtë, por edhe bashkëpunim të mirë të klubeve ndërmjet vete, që do të ndikonte në përforcimin e ekipit që do të prezantohet në arenën ndërkombëtare, them se do ta kemi të njëjtën gjendje siç e kishim në edicionin e kaluar. Pra, futbolli i Kosovës e ka të domosdoshme të sjellë risi, pasi kemi nevojë për ngritje të cilësisë e cila do ta joshët e edhe publikun të jetë në stadium", ka përfunduar Emin Baliqi.

(Kosova Sot)