'Dardanët' nuk DORËZOHEN NË SHTËPI

  • 24 November 2017 - 09:19
'Dardanët' nuk DORËZOHEN NË SHTËPI

Me moton 'This is my House-Kjo është shtëpia ime', Kosova hyn në një epokë të re për basketbollin e Kosovës. Vetëm dy vjet më parë ishte pranuar në arenën ndërkombëtare, kurse sonte përballet me njërën nga super fuqitë e basketbollit të Kosovës, edhe pse nuk vjen me ekipin më të mirë. Basketbollistët e Kosovës janë përgatitur maksimalisht për sfidën ndaj Lituanisë, dhe nuk dorëzohen, përkundër se përballen me një kundërshtar shumë të fortë, madje është favoritja e grupit, ku bëjnë pjesë edhe Hungaria dhe Polonia. Ndërkohë, në tribuna pritet një atmosferë e jashtëzakonshme, me 'Dardanët', që kanë premtuar përkrahje maksimale. Për këtë ndeshje janë shtuar edhe 1200 karrige, në mënyrë që të plotësojë kushtet për një ndeshje të tillë. Ky takim është i vlefshëm për kualifikimet e Kampionatit Botëror, ku Kosova merr pjesë për herë të parë.

Epokë e re për basketbollin e Kosovës

Përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg, thotë se po hyjnë në një epokë të re. "Para dy vjetëve nuk kemi qenë të pranuar ndërkombë- tarisht, ndërsa pas dy vjetëve po luajmë në kualifikime me shtete shumë të forta. Besoj se kjo tregon më së miri për të arriturat në këtë sport. Verës kemi luajtur në parakualifikime dhe tani ja ku jemi në nëntor, duke luajtur në kualifikime. Ne jemi pjesë e një grupi shumë të vështirë. Do të luajmë ndeshjen e parë kundër Lituanisë në shtëpi dhe të gjithë e dimë se për çfarë skuadre bëhet fjalë. Pavarësisht mungesave në përbërjen e tyre, pasi do të luajnë pa lojtarët e NBA-së dhe të Euroleague, sërish kjo kombëtare në radhët e veta ka lojtarë mjaft të talentuar dhe me përvojë. Neve na mbetet që të hyjmë në fushë dhe të luftojmë për të bërë më të mirën. As nuk na shkon mendja të mendojmë për humbje, sepse kështu nuk bëjnë sportistët e mëdhenj e ne jemi të tillë, pra të mëdhenj. Do të jemi pa dy lojtarë kyçë, por ne nuk kemi kohë për të vajtuar, do të japim maksimumin dhe me ndihmën e tifozëve besoj se do të bëjmë më të mirën në parket", deklaroi amerikani.

Kundërshtari më i vështirë

Favorite Lituaninë e ka cilësuar edhe basketbollisti i Kosovës, Dardan Berisha. "Është skuadra më e fortë në grup, pavarësisht mungesave në përbërje të lojtarëve. Ne do të mundohemi të japim më të mirën nga ana jonë për t'i befasuar dhe për të bërë diçka të madhe për vendin tonë. Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë, megjithatë ne do të luftojmë, jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjithat. Ne do të japim maksimumin dhe si vendas na duhet përkrahja e tifozëve që janë arma jonë më e fortë. Kjo edhe u dëshmua gjatë verës kur ne me ndihmën e tyre të madhe arritëm të kualifikohemi në mesin e 32 ekipeve që vazhdojnë tutje në kualifikimet për Kupën e Botës", theksoi Berisha. Edhe Alban Veseli është shprehur se do të jetë vështirë. "Natyrisht se do të jetë shumë e vështirë. E dimë se faza e dytë e kualifikimeve për Botëror është shumë e vështirë. Kundër Lituanisë kemi një ekipe shumë të mirë dhe besoj në një paraqitje shumë të mirë. Ne kemi treguar lojëra të mira, por për befasi nuk e di çfarë të them, është Lituania në majat e ekipeve evropiane dhe botërore, nuk besoj se bëhet fjalë për befasi", deklaroi Veseli.

(Kosova Sot)